Sadiku: “Libertadores një ëndërr, do të jap gjithçka për Bolivarin”

  • S.A /
  • 30 January 2021 - 10:54
Sadiku: “Libertadores një ëndërr, do të jap gjithçka për Bolivarin”

Armando Sadiku po numëron ditët për të bërë debutimin e tij me skuadrën e Bolívarit dhe për të përmbushur ëndrrën e tij për të luajtur Copa Libertadores.

Qëllimi kryesor i sulmuesit të Kombëtares Shqiptare është që të përshtatet me ekipin e tij të ri sa më shpejt të jetë e mundur.

“Kam ardhur këtu për të qenë shënuesi i skuadrës, dua të shënoj shumë gola për lumturinë e njerëzve. Libertadores është një ëndërr për mua, e kam parë vetëm në televizion,” – tha Sadiku në prezantimin zyrtar.

Gati fizikisht: “Jam në gjendje të mirë, por pak i lodhur, mendoj se javën e ardhshme do të jem në formën time më të mirë, shpresoj të arrij 100% për të dhënë gjithçka për Bolívarin.”

Pasues i Marcos Riquelmes: “Ai (Marcos Riquelme) ka shënuar shumë gola këtu, nuk mund të premtoj se do të bëj të njëjtën gjë, por do të jap gjithçka për ekipin që të arrijë objektivat”.

(Kosova Sot Online )