Lazio ia kthen shpinën Thomas Strakoshës

  • S.A /
  • 04 February 2021 - 15:09
Lazio ia kthen shpinën Thomas Strakoshës

Lazio ia kthen shpinën Thomas Strakoshës. E ardhmja e Thomas Strakoshës nuk është e sigurt te Lazio.

Simone Inzaghi dhe drejtori sportiv, Igli Tare, raportohet se po kërkojnë një zëvendësues për portierin e Kombëtares shqiptare. 25-vjeçari ka luajtur vetëm gjashtë ndeshje në Serie A këtë sezon, ka pranuar 12 gola dhe vetëm njëherë e ka mbajtur portën e pa prekur. Ardhja e Pepe Reina verën e kaluar e trazoi Strakoshën dhe sipas “Il Messaggero” tashmë ka shkaktuar telashe në dhomat e zhveshur. Tare gjithmonë e ka mbrojtur Strakoshën, por ka nisur të mendojë për të ardhmen dhe të sigurojë një portier në vend të Reinas që tani për tani është titullar.

“Tuttomercatoweb” raporton se në vend të Strakoshës mund të vijë portieri i Shakhtar Donetsk, Anatoliy Trubin, por s’ka asgjë konkrete, dy klubet ende nuk kanë nisur bisedimet. Lorenzo Montipò i Beneventos është tjetër opsion për Lazion. Sido që të jetë, shpresa qëndron ende të Strakosha, që të shërohet nga dëmtimet e shumta dhe të tregojë atë që di më së miri dhe siç ka bërë viteve të fundit. 

(Kosova Sot Online )