Juventus sërish përballë Interit, sot caktohet finalisti i parë i Kupës

  • S.A /
  • 09 February 2021 - 09:04
Juventus sërish përballë Interit, sot caktohet finalisti i parë i Kupës

Juventus kundër Interit, për të tretën herë në harkun e tre javëve, por këtë herë luhet në Torino.

Në një kohë kur i përgjigjen njëra-tjetrës goditje pas goditjeje në distancë në kampionat, bardhezinjtë dhe zikaltrit kthehen në fushë në “Allianz Stadium”, për kthimin e gjysmëfinaleve të Kupës së Italisë, me skuadrën e Pirlos që niset e favorizuar nga fitorja 2-1 në San Siro të firmosur nga Cristiano Ronaldo, teksa kush kalon në finale gjen përballë një mes Atalantës dhe Napolit.

Fitorja në shtëpinë e Juves ju mungon zikaltërve që nga 2012-a dhe herën e fundit që Inter luajti aty u mund 2-0, por skuadra e Contes për momentin është në një formë mjaft të mirë dhe trajneri rikuperon për sfidën e sotme edhe dy prej lojtarëve më të mirë të skuadrës, Romelu Lukakun dhe Achraf Hakimin, që munguan në ndeshjen e parë për arsye skualifikimi.

Belgu do të bëjë dyshen e sulmit me Lautaron para, pasi Sanchez është i skualifikuar dhe po ashtu edhe Vidal.

Në vend të mesfushorit kilianit duhet të jetë Gagliardini, edhe pse një hipotezë më kurajoze dhe sulmuese është ajo e danezit Eriksen. Në të majtë balotazh mes Darmian, Perisiç dhe Young ndërkohë që nuk do të preket mbrojtja që ka ruajtur portën të paprekur në 4 ndeshjet e fundit të Serisë A.

Në krahun tjetër Pirlo është gati të ndryshojë edhe një herë Juventusin e tij. Konfirmim për Buffon portier të Kupës mes shtyllave, ndërsa në krahun e djathtë do të rikthehet Cuadrado, që ka pushuar me Romën, me Alex Sandro në të majtë të favorizuar ndaj Danilos.

Në mes dyshimi është nëse duhet ripropozuar dyshja e të rinjve De Ligt e Demiral, e përdorur më parë në takimin e “San Siro”-s, apo të futet një mes Bonuccit që doli i ngarkuar fizikisht nga ndeshja me Romën dhe Chiellini që është në formë të mirë.

Në mesfushë rikthehet Betancour pas skualifikimit në kampionat, ndërsa para do të jetë sërish Kulusevski që do të formojë dyshen me Cristiano Ronaldon, duke qenë se Morata e Arthur janë prekur nga viroza të stinës dhe kanë temperaturë, ndaj vështirë se do të sakrifikohen.

Sfida mes Juventusit dhe Interit do të startojë në orën 21:00 në “Allianz Stadium”.

(Kosova Sot Online )