Rikthehet Superliga, super ndeshje zhvillohen sot

  • E.K /
  • 13 February 2021 - 10:15
Rikthehet Superliga, super ndeshje zhvillohen sot

Këtë fundjavë do të fillojë stinori pranveror i Superligës së Kosovës në futboll, ndeshjet e xhiros së 19-të do të luhen të shtunën dhe të hënën.

Pas pushimit prej afro dy muajsh, këtë fundjavë do të rikthehet Superliga e Kosovës në futboll.

Pas ndeshjeve të Kupës, në vikend do të hapet perdja e stinorit pranveror edhe në kampionat.

Të shtunën do të zhvillohen tri ndeshje, ndërsa të hënën dy të tjera, pasi të dielën do të mbahen zgjedhjet nacionale në Kosovë.

Xhiron e 19-të do ta hapë njëri prej dueleve kryesorë, ai ndërmjet Dritës dhe Llapit.

Kampionia aktuale do të mundohet t’i mbajë të tria pikët në shtëpi, në mënyrë që ta ruajë kryesimin në tabelë.

Nga ana tjetër, edhe llapjanët kanë nevojë për pikë, për t’ju shmangur pjesës së poshtme të tabelës.

Prishtina po ashtu llogarit në fitore ndaj Drenicës në shtëpi pasi Bardhekaltrit nuk kanë më vend për gabime.

Kryeqytetasit janë të motivuar pas fitores ndaj Dritës në Kupë, derisa Kuqezinjtë do ta kërkojnë një pikë në “Fadil Vokrri”.

Ballkani do ta vizitojë Besën në kërkim të tri pikëve, të cilat do ta mbajnë në garë për titull.

Therandasit i kanë tri pikë më pak se Drita dhe nuk kanë vend për gabime.

Ndërkaq, të hënën do të zhvillohet një tjetër ndeshej interesante.

Feronikeli do ta presë Gjilanin në Drenas.

Të dyja skuadrat kanë mbetur larg kreut të tabelës, por e synojnë megjithatë daljen në Evropë.

Kjo xhiro do të mbyllet me sfidën në mes të Trepçës ’89 me Arbërinë.

(Kosova Sot Online)