Roshi largohet nga Rusia pas 5 vjetëve, transferohet në Hungari

  • S.A /
  • 15 February 2021 - 13:07
Roshi largohet nga Rusia pas 5 vjetëve, transferohet në Hungari

Pas pothuajse 5 vitesh Odise Roshi largohet nga Akhmat Grozny duke lënë përfundimisht Premier Leaguen ruse për t’u transferuar në elitën e futbollit hungarez.

Anësori shqiptar ka arritur marrëveshjen me klubin e Diosgyori VTK mbrëmjen e kësaj diele me lajmin që u zbulua ekskluzivisht në emisionin Zona Gol nga moderatori Glend Tafaj.

Burime të Supersport raportojnë se të martën Roshi do të jetë në Hungari për të hedhur firmën mbi kontratë. Te Diosgyori, Roshi do të ketë shok skuadre një tjetër futbollist shqiptar pikërisht Hysen Memollën.

Trajnerimi i mesfushorit fierak te DVTK është bërë i mundur nga menaxheri i njohur shqiptar Adrian Aliaj. Aktualisht skuadra e Diosgyori pozicionohet në vendin e fundit të kampionatit hungarez që kryesohet nga Ferencvaros, por me Roshin do të ketë më shumë mundësi për të siguruar mbijetesën.

Futbollisti i kombëtares kuqezi ende nuk është rikuperuar nga dëmtimi që e mbajti jashtë për një pjesë të mirë të këtij sezoni në të cilin është aktivizuar vetëm në 6 takime me Akhmat Grozny-in dhe vetëm në një prej tyre si titullar.

(Kosova Sot Online )