Suarez: Në Barcelonë më thanë se isha shumë i vjetër për të luajtur në nivelin më të lartë

  • S.A /
  • 23 shkurt 2021 - 11:59
Suarez: Në Barcelonë më thanë se isha shumë i vjetër për të luajtur në nivelin më të lartë

Luis Suarezi ka zbuluar se aspekti më zhgënjyes i largimit të tij nga Barcelona ishte kur klubi i kishte thënë se ishte shumë i vjetër për të luajtur në nivelin më të lartë.

Suarezi u largua nga Barça dhe iu bashkua Atletico Madridit në shtatorin e kaluar, gjë të cilën ikona dhe kapiteni i katalonasve Lionel Messi e kishte quajtur çmenduri.

Sulmuesi uruguaian ia ka mbyllur gojën ish-klubit të vet, duke e udhëhequr Atleticon drejt kreut të La Ligës me golat e tij të njëpasnjëshëm.

34-vjeçari ndihet i lumtur në shtëpinë e re, edhe pse e ka pranuar se e ka pasur shumë të vështirë largimin nga Camp Nou.

“Ajo që më pengoi mua në të vërtetë ishte kur më thanë se isha shumë i vjetër dhe se më nuk isha në gjendje të luaja në nivelin e lartë. Kjo nuk më pëlqeu”, tha Suarez për France Football.

“Sikur të mos kisha arritur asgjë në një klub si Barça për tri apo katër sezone, do t’i kuptoja. Por, çdo vit në Barçë, unë i shënoja më shumë se 20 gola në sezon. Gjithmonë kam pasur statistika të mira, i dyti pas Leo Messit. Rrethanat kanë ndryshuar në Barçë dhe klubi kishte nevojë për ndryshim. E pranoj këtë. E vetmja gjë që më pengon është sesi ndodhi. Meritoja respekt”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online )