Trajneri i Atalantës: Gjyqtari e prishi ndeshjen, kjo është vetëvrasje për futbollin

  • S.A /
  • 25 shkurt 2021 - 09:43
Trajneri i Atalantës: Gjyqtari e prishi ndeshjen, kjo është vetëvrasje për futbollin

Trajneri i Atalantës, Gian Piero Gasperini, është shprehur i mllefosur me referimin në përgjithësi në humbjen e skuadrës së tij 1:0 kundër Real Madridit në Ligën e Kampionëve, duke e akuzuar gjyqtarin gjerman se e prishi ndeshjen me përjashtimin e hershëm të Remo Freuler.

Freuler u përjashtua nga loja direkt me karton të kuq në minutën e 17-të, për një ndërhyrje ndaj Ferland Mendy, i cili ia siguroi Madridit fitoren pastaj me një gol në çastet e fundit të ndeshjes në Bergamo.

Gjyqtari gjerman e vlerësoi rastin si mundësi të pastër shënimi, edhe pse Mendy dukej që po shkonte anash dhe po përgatitej për harkim. Për më tepër Freuler nuk ishte lojtari i fundit kur e rrëzoi francezin.

Madridi do ta presë Atalantën në Spanjë me përparësinë e golit si mysafir për një vend në çerekfinale, por Gasperini ndien se ndeshja u prish nga gjyqtari.

“Ndeshja u prish nga gjyqtari. Sezonin e kaluar, pas një kaosi të madh, rregulli i prekjes së topit me dorë u zgjodh. Tani ka përpjekje për ta hequr çdo kontakt në futboll dhe kjo është vetëvrasje për sportin”, tha Gasperini.

“Ndihemi të hidhëruar që nuk patëm mundësi ta zhvillonim ndeshjen që prisnim ta zhvillonim. Nuk e di se si do të ishte rezultati, por ndeshja u prish plotësisht nga një gjykim i tepërt i një incidenti”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online )