NBA: Uta Jazz superiore edhe ndaj Lakers

  • E.K /
  • 25 shkurt 2021 - 15:00
NBA: Uta Jazz superiore edhe ndaj Lakers

Utah Jazz tregon supermacinë e saj edhe përballë kampionëve në fuqi të NBA. Skuadra nga Salt Lake City mposhti pa shumë vështirësi Los Angeles Lakers me rezultatin e thellë 114-89.

Një ndeshje e dominuar nga kryesuesit e Konferencës së Perëndimit të cilët e panë veten në avantazhin e plotë 16 pikëve që në fundin e pjesës së parë. Për Lakers vijon momenti negativ pasi kalifornianët pësuan humbjen e 4-t rresht.

Mungesat e Antony Davis i cili ka dëmtuar tendinën e Akilit por edhe të gjermanit Denis Schroder po ndihen shumë te skuadra e Frank Vogel. LeBron James edhe këtë herë nuk arriti të bënte asgjë i vetëm teksa e mbylli sfidën me 19 pikë, 4 rebound dhe 4 asiste.

Te Utah më të mirët mbi parket rezultuan Jordan Clarkson ish-lojtar i Lakers dhe francezi Rudy Gobert me nga 18 pikë secili ndërkohë që një paraqitje të mirë bëri edhe kroati Bogdanovic. Moment pozitiv edhe për Golden State Warriors që mori fitoren e dytë rresht, pasi mposhti brenda në Indianapolis Indiana Pacers me rezultatin 111-107. Stephen Curry ishte ai që udhëhoqi skuadrën nga San Francisco drejt suksesit të 18-të sezonal në 33 ndeshje, me yllin e Warriors që spikati me 24 pikë, 8 rebound dhe 8 asiste.

Në krahun tjetër tjetër Indianës nuk i mjaftuan 46 pikët e koleksionuara në total nga dyshja Brogdon-Sabonis. Kanë rigjetur formën ideale edhe nënkampionët e edicionit të kaluar të NBA, Miami Heat të cilët triumfuan në American Airlines Arena përballë Toronto Raptors me shifrat 116-108.

Jimmy Butler ishte thjeshtë fantastik për Miami teksa koleksionoi në total 27 pikë 8 rikuperime poshtë tabelës dhe 10 pasime vendimtare. Te Raptors të cilët pësuan humbjen e 17 sezonale spikatën Kyle Lowry dhe VanVleet me nga 24 pikë secili.

Për Miami Heat kjo ishte fitorja e 4-t rresht, por pavarsisht kësaj skuadra nga Florida për momentin pozicionohet në vendin e 10-të në Lindje dhe është jashtë zonës play-off. Vijon rënia e lirë për Boston Celtics që u mposht në Georgia nga Atlanta Hawks me rezultatin 127-112. Italiani Danilo Gallinari me 38 pikë dhe talenti Trae Young me 33 pikë ishin dy basketbollistët që udhëhoqën Atlantën drejt kësaj fitoreje të rëndësishme./SS

(Kosova Sot Online)