Policia katalonase i bastis zyrat e Barcelonës

  • S.A /
  • 01 March 2021 - 12:35
Policia katalonase i bastis zyrat e Barcelonës

Policia e Katalonjës, Mossos d’Esquadra, i ka bastisur zyrat e klubit të Barcelonës të hënën në mëngjes, raportojnë mediat spanjolle. Besohet se bastisja ka të bëjë me skandalin e vitit të kaluar, kur klubi i kishte kontaktuar disa kompani për të bërë fushatë kundër njerëzve të caktuar dhe entiteteve që e kundërshtonin administratën e presidentit të atëhershëm të klubit, Josep Maria Bartomeu, transmeton Gazeta Express.

I3 Ventures SL, NSG Social Science Ventures SL, Tantra Soft SA, Digital Side SA, Big Data Solutions SA dhe Futuric SA ishin kompanitë e përfshira në këtë rast dhe, sipas Cadena SER, bastisja e sotme në zyrat e Barçës ka të bëjë me këtë skandal.

Sipas burimeve brenda klubit, zyrtarët policorë e kanë kryer një kontroll në zyrat e klubit katalonas. Nuk dihet saktësisht se çfarë kanë kërkuar ata atje.

Skandali i ashtuquajtur “Barcagate” e dëmtoi tejet shumë Bartomeun, por ai e kishte mohuar çfarëdo përfshirje në këtë fushatë njollosjeje. Bordi i Bartomeut u akuzua se i pagoi kompanitë private për t’i njollosur persona të caktuar në klub që e kundërshtonin, përfshirë lojtarë.

Disa anëtarë të bordit patën dhënë dorëheqje, si pasojë. 

(Kosova Sot Online )