Eder i godet pronarët e Interit: Janë gënjeshtarë, ua fituam titullin dhe s’na paguan

  • S.A /
  • 01 March 2021 - 15:58
Eder i godet pronarët e Interit: Janë gënjeshtarë, ua fituam titullin dhe s’na paguan

Ish-sulmuesi i Interit, Eder e ka kritikuar ashpër Suningun, kompaninë kineze që e ka në pronësi klubin italian, pasi kampioni i Kinës FC Jiangsu u shua në fundjavë. Sulmuesi 34-vjeçar iu bashkua FC Jiangsus nga Interi në korrik të vitit 2018 dhe kontrata e tij me klubin kinez mbaron në qershor të këtij viti.

Ish-përfaqësuesi i Italisë i ndihmoi klubit ta fitojë Superligën e Kinës për herë të parë në historinë e vet në sezonin 2019/20, por Jiangsu FC njoftoi të dielën se është shuar si klub.

 “Edhe pse hezitojmë të ndahemi me lojtarët, të cilët i kanë fituar çmimet më të mëdha me ne dhe me tifozët të cilët janë solidarizuar me klubin, me keqardhje na duhet të njoftojmë se nga sot, klubi i futbollit Jiangsu FC nuk do të operojë më”, kishte thënë klubi kinez në një njoftim të dielën.

Sulmuesi italian i lindur në Brazil Eder ka reaguar i mllefosur ndaj pronarëve të Interit.

“Suning nuk do të vazhdojë të investojë në futboll”, tha Eder për SportItalia.

“Ata nuk i respektojnë punonjësit dhe futbollistët e vet. Ata na lanë pa paga neve dhe nuk na lejuan të luajmë për klube të tjera”, shtoi ai.

“Të gjithë na gënjyen. Ne bëmë punë të madhe për Suning, madje duke e fituar titullin e kampionit të Kinës, por ne nuk u trajtuam siç duhet e as nuk u respektuam siç e merituam”, theksoi ai.

(Kosova Sot Online )