Juve-Lazio, “ajka” e mbrëmjes, spektakël i garantuar në Bayern-Dortmund

  • S.A /
  • 06 March 2021 - 08:49
Juve-Lazio, “ajka” e mbrëmjes, spektakël i garantuar në Bayern-Dortmund

Luhet Juventus-Lazio, pa dyshim ndeshja më e rëndësishme e javës së 26-të të Serisë A, rezultati i së cilës ka rëndësi të veçantë për bardhezinjtë sa i përket garës së titullit, ndërsa bardhekaltërve pikët e fituara në këtë fushë të vështirë do t’u rritnin kredencialet për zonën Champions.

Në orën 20:45, në “Allianz Stadium”, skuadra e Simone Inzaghit do të kërkojë të befasojë “Zonjën e Vjetër”, që për të fituar titullin e 10-të radhazi do të duhet të rikuperojë 10 pikë nga Interi krysuesues. Do të jenë 7 pikë nëse bardhezinjtë do të triumfojnë më 17 mars në ndeshjen e prapambetur ndaj Napolit.

Sa u përket formacioneve, Pirlo humb ururguajanin Bentancur për shkak të COVID-19, por nga infermieria rikuperon Cuadradon dhe Bonuccin. Kolumbiani do të jetë titullar, ndërsa mbrojtësi do ta nisë sfidën në stol. McKennie-Rabiot, dyshja e mesfushës, CR7-Kulusevski në sulm. I skualifikuar është Frabotta.

Nuk ia del për të qenë i gatshëm ndaj Juves Lazzari, i ndalur për shkak të një problemi në gju. Në mbrojtje mund të tërhiqet Marusic, me aktivizimin e Fares në mesfushë. Në sulm, dyshja Immobile-Correa.

Transemtimet e sfidave të Serisë A nisin që në 15:00 me Spezia – Benevento, ndërsa në orën 18:00 luhet Udinese – Sassuolo.

Një nga sfidat më të rëndësishme të kësaj të shtune është pa dyshim Bayern M. – B. Dortmund, që do të zhvillohet në orën 18:30 dhe vjen për të pasionuarit e futbollit gjerman nëpërmjet kanalit Eurosport 2. Verdhezinjtë, jashtë garës për titullin e Bundesligës, kërkojnë me çdo kusht pikë në “Allianz Arena” për të mos humbur të paktën pjesëmarrjen në Champions. Nga ana tjetër, bavarezët ndiejnë nga pas dihatjen e Leipzigut, me vetëm dy pikë më pak, rreziku më i madh për skuadrën e Hansi Flick.

Në mbrëmje, në orën 21:00, Barcelona pret Osasunan në kuadër të javës së 26-të të La Ligas. Katalanët ndoshta janë konsumuar për shkak të sforcimit të madh në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Mbretit, ndaj Sevillas, të cilën e eliminuan me një përmbysje historike pas kohës shtesë, megjithatë, në Pamplona do të kërkojnë maksimumin, për të mos iu ndarë Atleticos, që kryeson me 5 pikë më shumë. Më herët, në orën 16:15, Sevilla do të jetë mysafire në fushë ne Elches.

Nga kampionati francez është përzgjedhur sfida e orës 21:00, Brest – PSG, ndërsa nga Eredivisie Feyenoord – VVV (16:30).

(Kosova Sot Online )