Conte i reagon trajnerit të Atalantës që tha se Interi fitoi nga një korner

  • S.A /
  • 09 March 2021 - 12:36
Conte i reagon trajnerit të Atalantës që tha se Interi fitoi nga një korner

Trajneri i Interit, Antonio Conte, i është përgjigjur homologut të tij te Atalanta, Gian Piero Gasperini, i cili kishte thënë se zikaltrit fituan ndaj skuadrës së tij 1:0 falë një korneri, duke këmbëngulur se Interi krijoi më shumë raste sesa Atalanta.

Interi i mori tri pikë shumë të rëndësishme kundër Atalantës të hënën në Giuseppe Meazza, në përpjekjet e tij për ta fituar titullin në Serie A për herë të parë pas një dekade.

Conte u shpreh shumë i lumtur që skuadra e tij ia doli ta ruajë epërsinë prej gjashtë pikëve ndaj rivalit Milan.

“I fituam tri pikë të rëndësishme kundër një ekipi të shkëlqyer. Praktikisht ne e rrëzuam Atalantën nga gara për titull, në kuptimin se tani ne i kemi 13 pikë më shumë se ajo”, tha Conte pas ndeshjes.

Duke iu përgjigjur komenteve të Gasperinit se Interi fitoi vetëm falë një korneri, nga i cili Milan Skriniar e shënoi golin e fitores, Conte tha: “Ne humbëm mundësi të arta. Kemi mundur t’i realizonim më mirë. Patëm shanse të mëdha shënimi por i humbëm ato. Ne prodhuam më pak se zakonisht, por Atalanta pati më pak shanse shënimi se ne”

(Kosova Sot Online )