Griezmann: AS Barcelona, as tifozët e as ne lojtarët s’e merituam eliminimin

  • S.A /
  • 11 March 2021 - 09:27
Griezmann: AS Barcelona, as tifozët e as ne lojtarët s’e merituam eliminimin

Antoine Griezmann ndihet tejet i zhgënjyer me eliminimin e Barcelonës nga Liga e Kampionëve, duke thënë se klubi, lojtarët dhe tifozët s’e merituan një largim kaq të hershëm nga kjo garë.

Barcelona udhëtoi drejt Parisit për ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales të mërkurën, e vetëdijshme se i duhej ta kapërcente një mal për ta arritur çerekfinalen.

Skuadra e trajnerit Ronald Koeman e kishte humbur 4:1 ndeshjen e parë në Camp Nou falë një het-triku nga Kylian Mbappe, prandaj duhet t’i shënonte të paktën katër gola në Paris për të shpresuar.

Barça bëri përpjekje të mëdha për ta arritur këtë dhe krijoi shumë mundësi, por nuk ishte mjaftueshëm vrastare para portës për ta arritur qëllimin.

Mbappe e kaloi PSG-në në epërsi nga një penallti kontroverse, para se Lionel Messi ta barazonte rezultat me një goditje të mrekullueshme. Por Keylor Navas e priti penalltinë e argjentinasit dhe e bëri një mori pritjesh të tjera deri në fund për t’i ndihmuar PSG-së të kalojë në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm 5:2.

Duke folur pas ndeshjes, sulmuesi francez tha: “Kjo ndeshje që bëmë sonte na jep vetëbesim për atë që na pret në vazhdim. Por jemi të zhgënjyer sepse deshëm të kalonin tutje”.

“As tifozët e as ne lojtarët nuk e merituam eliminimin kaq herët”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online )