Koeman: Duke e parë këtë ekip, Messi nuk mund të ketë dyshime për të ardhmen

  • S.A /
  • 11 March 2021 - 10:55
Koeman: Duke e parë këtë ekip, Messi nuk mund të ketë dyshime për të ardhmen

Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, ka thënë se Lionel Messi nuk mund të ketë dyshime për të ardhmen e madhe të klubit, pas paraqitjes tejet pozitive kundër Paris Saint-Germain në Ligën e Kampionëve, megjithëse u eliminua.

Messi, i cili e ka fituar këtë garë me Barcelonën hiç më pak se katër herë, e shprehu zhgënjimin dhe zemërimin me klubin në verën e kaluar kur e kërkoi largimin dhe u përfol se mund t’i bashkohej pikërisht PSG-së.

Megjithatë, derisa rezultati kundër klubit francez bëri që Barça të dështojë ta arrijë çerekfinale e kësaj gare për herë të parë në 14 vjetët e fundit, Koeman thotë se mënyra sesi u rrëzua nga Liga e Kampionëve mund të ndihmojë për ta bindur 33-vjeçarin argjentinas ta vazhdojë karrierën në Camp Nou.

“Leo (Messi) është duke e parë që një kohë se ky ekip po përmirësohet falë ndryshimeve që i kemi bërë ne”, tha Koeman. “Në veçanti, ne kemi lojtarë të rinj me cilësi të mëdha. Na pret një e ardhme e madhe. Leo nuk mund të ketë dyshime për të ardhmen e këtij ekipi”, shtoi ai. Por paraqitja e së mërkurës në Paris mund të jetë e fundit për Messin në fanellën e Barcelonës në Ligën e Kampionëve. Superylli argjentinas do të vendosë në verë çfarë do të bëjë me të ardhmen e vet, kur do të jetë i lirë të largohet falas pasi marrëveshja me Barçën i mbaron në qershor.

(Kosova Sot Online )