Sa i dobët është Lenglet këtë sezon, gabimet e shumta i vazhdoi edhe ndaj PSG-së

  • S.A /
  • 11 March 2021 - 11:54
Sa i dobët është Lenglet këtë sezon, gabimet e shumta i vazhdoi edhe ndaj PSG-së

Ky sezon mund të jetë për këdo përveç Clement Lenglet, gabimet e njëpasnjëshme të të cilit po i kushtojnë shumë Barcelonës. Një të tillë, ai e bëri edhe në eliminimin e katalonasve nga Liga e Kampionëve kundër Paris Saint-Germain.

Qendërmbrojtësi francez ka bërë shumë gabime trashanike për Barcelonën këtë sezon, të cilat i kanë kushtuar shumë skuadrës së tij.

Kundër PSG-së të mërkurën në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve, Lenglet shkaktoi penallti në kohën kur katalonasit po i kalonin çastet më pozitive në kërkim të rikthimit.

Megjithëse mund të ketë qenë i pafat, Lenglet e shkeli Mauro Icardin në thembër në zonë. Nga pika e bardhë Kylian Mbappe e kaloi PSG-në në epërsi.

Lenglet është titullar i rregullt në formacionin e Ronald Koeman, por paraqitjet e tij deri tani kanë qenë nën nivel.

Ai kishte shkaktuar penallti edhe në barazimin e Barcelonës 1:1 kundër Cadiz dhe si pasojë ishte larguar nga Camp Nou me lot në sy.

Ai po ashtu shkaktoi penallti në El Clasico kundër Real Madridit dhe në humbjen turpëruese të Barcelonës kundër Juventusit në Camp Nou.

Lenglet ka kontratë me Barçën deri në vitin 2026, por gabimet e tij nuk i kanë ndihmuar kauzës së klubit dhe kjo tregon përse katalonasit po e kërkojnë me ngulm transferimin e Eric Garcia.

(KOsova Sot Online )