NBA, Brooklyn mposht Bostonin, fitojnë Bucks, Clippers e Miami!

  • E.K /
  • 12 March 2021 - 15:23
 NBA, Brooklyn mposht Bostonin, fitojnë Bucks, Clippers e Miami!

Brooklyn Nets afrohet gjithnjë më shumë me vendin e parë në Konferencën e Lindjes.

Skuadra nju-jorkeze prishi ecurinë positive të Boston Celtics duke triumfuar pa shumë vështirësi përballë 17-herë kampionëve të NBA me rezultatin 121-109.

Boston edhe pse vinte nga 4 fitore radhazi në këtë sfidë u dorëzua pa kushte përballë një prej skuadrave pretendente për titullin kampion në këtë sezon të NBA.

Në mungesë të Kevin Durant dhe Blake Griffin diferencën për Nets në këtë sfidë e bëri dyshja Irving-Harden. I pari shkëlqeu me 40 pikë, 8 rebound dhe 3 asiste ndërkohë që Harden shtoi 22 pikë në suksesin e 23-të sezonal të Brooklyn. Për Celtics më i miri mbi parket rezultoi Jason Tatum me 31 pikë.

U rikthye te suksesi Los Angeles Clippers që mori një fitore bindëse përballë Golden State Warriors me rezultatin 130-104, duke zhytur në krizë pikërisht skuadrën nga San Francisco që pësoi humbjen e 4-t rresht. Heroi i kalifornianëve në këtë sfidë ishte i përhershmi Kawhi Leonard me 28 pikë. Vijon forma e shkëlqyer për Milwaukee Bucks që mori fitoren e 7-të në 8 ndeshjet e fundit pasi kaloi lehtësisht me rezultatin 134-101 New York Knicks. Greku Giannis Antetokounmpo me një triple-double pasi koleksionoi 24 pikë 10 rebound dhe 10 asiste ishte basketbollisti më i mirë mbi parket për Bucks dhe që e udhëhoqi skuadrën nga Wisconsin drejt suksesit të 23-të sezonal në 37 takime që ka zhvilluar në total.

Edhe Miami Heat po kalon një moment të artë. Nënkampionët e edicionit të kaluar, morën fitoren e 8-të në 10 ndeshjet e fundit pasi mposhtën Orlando Magic me rezultatin 111-103. Jimmy Butler me 27 pikë 8 rikuperime poshtë tabelës dhe 11 asiste ishte basketbollisti që spikati më shumë te Heat në këtë sfidë.

(Kosova Sot Online)