Katër futbollistë nga Kosova pjesë e Zvicrës U21 për EURO 2021

  • S.A /
  • 15 March 2021 - 12:23
Katër futbollistë nga Kosova pjesë e Zvicrës U21 për EURO 2021

Katër futbollistë, të cilët ka mundësi që ta përfaqësojnë Kombëtaren e Kosovës në të ardhmen, do ta përfaqësojnë ekipin kombëtar U21 të Zvicrës në Kampionatin Evropian 2021 për 21-vjeçarët gjatë këtij viti në Hungari dhe Slloveni.

Andi Zeqiri, Bastien Toma, Kastriot Imeri dhe Toni Domgjoni u ftuan nga trajneri Mauro Lustrinelli për EURO 2021 që do të mbahet nga 24 marsi deri më 6 qershor të këtij viti, duke ia shuar përfundimisht shpresat Kosovës se mund ta ketë ndonjërin prej tyre për ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës në mars.

Për sulmuesin e klubit të Premierligës Brighton & Hove Albion, Zeriqi, kishte zëra se do t’i bashkohej Kosovës për ndeshjet kualifikuese të marsit, veçanërisht pas deklaratave të babait të tij për mediat në Shqipëri në fund të vitit të kaluar se ai ishte duke i rregulluar dokumentet e nevojshme për të ndërruar aleancë.

Megjithatë, kompania që e ka nën menaxhim atë sqaroi më vonë se qëllimi i Zeqirit ishte të vazhdonte me Zvicrës U21 të paktën deri në përfundim të turneut të kësaj vere.

Zeqiri mund prapëseprapë të vendosë ta përfaqësojë ekipin kombëtar A të Zvicrës, me cka do ta humbiste përgjithmonë të drejtën për ta përfaqësuar Kosovën në të ardhmen.

Zvicra është në grup me Islandën, Slloveninë dhe Hungarinë në EURO 2021.

(Kosova Sot Online )