Pas shumë thashethemeve, menaxheri e konfirmon të ardhmen e Jurgen Klopp

  • S.A /
  • 16 March 2021 - 14:25
Pas shumë thashethemeve, menaxheri e konfirmon të ardhmen e Jurgen Klopp

Puna e Jurgen Klopp në Liverpool nuk ka mbaruar dhe ai do të qëndrojë në klub deri në përfundim të marrëveshjes, ka konfirmuar menaxheri i tij, Marc Kosicke.

Ka pasur thashetheme në javët e fundit se Klopp mund të largohet nga Anfield, për shkak të tatëpjetës që ka marrë skuadra këtë sezon duke rënë në vendin e gjashtë në tabelën e Premierligës, pas gjashtë humbjeve radhazi në shtëpi.

Thashethemet u rritën javën e kaluar kur Joachim Low konfirmoi se do ta braktisë postin e trajnerit të Kombëtares së Gjermanisë menjëherë pas përfundimit të Kampionatit Evropian këtë verë, pasi bastoret e bënë Kloppin favorit për ta marrë drejtimin e ish-kampionit të botës.

Por pa humbur kohë, Klopp e hodhi poshtë lajmin se mund të jetë në garë për postin e trajnerit të kombëtares dhe tani, Kosicke ka këmbëngulur se asnjëherë nuk ka pasur asnjë të vërtetë në thashethemet për të.

Klopp është plotësisht i përkushtuar në Anfield, sipas tij.

“Jurgen gjithmonë e ka potencuar në vitet e fundit se ai mund të jetë i hapur për postin e trajnerit të kombëtares në të ardhmen, nëse DFB-ja kërkon trajner dhe Jurgen pa klub”, tha Kosicke.

“Por ai nuk ka mbaruar punë në Liverpool. Nuk ka derë largimi sepse Jurgen i ka edhe tri vjet kontratë me të kuqtë. Ai e ka bërë të qartë këtë në mënyrë që të mos ketë vend për thashetheme”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online )