Guardiola: Më kanë thënë se duhet ta fitoj Ligën e Kampionëve

  • S.A /
  • 17 mars 2021 - 09:21
Guardiola: Më kanë thënë se duhet ta fitoj Ligën e Kampionëve

Pep Guardiola nuk e ka harruar mesazhin që e mori kur mbërriti për herë të parë në Manchester City nga Bayern Munich në vitin 2016: fitoje Ligën e Kampionëve, ose nuk do të vlerësohesh plotësisht i suksesshëm.

Trajneri spanjoll tha të martën, pasi skuadra e tij kaloi në çerekfinale të kësaj gare duke e mundur skuadrën gjermane Borussia Monchengladbach, se ato fjali i janë ngulitur në kokë që prej atëherë.

City i ka fituar 24 nga 25 ndeshjet e fundit në të gjitha garat, por me gjasë do të përballet me një klub të madh në çerekfinale.

“Që prej vitit të parë kur erdha këtu njerëzit më thanë se unë duhet ta fitoj Ligën e Kampionëve”, tha Guardiola pas ndeshjes të martën.

“Është diçka që rri gjithmonë mbi supe, por nuk shqetësohem për këtë. Në futboll, nëse e meriton kalon tutje. Nëse s’e meriton, nuk kalon”, shtoi ai.

“Nuk po mendoj për gjysmëfinalen. Po mendoj të luajmë mirë në ndeshjen e parë dhe në ndeshjen e dytë (çerekfinale)”, theksoi Guardiola.

(Kosova Sot Online )