Para derbit me Napolin, Pirlo i kthen në skuadrën 3 futbollistët e pezulluar nga klubi

  • S.A /
  • 05 April 2021 - 10:06
Para derbit me Napolin, Pirlo i kthen në skuadrën 3 futbollistët e pezulluar nga klubi

Duke parë rëndësinë e sfidës me Napolin të mërkurën në mbrëmje, Andrea Pirlo ka bërë një hap pas dhe ka rikthyer në grup tre futbollistët e pezulluar pasi morën pjesë në një festë të ndërprerë vetëm nga ndërhyrja e policisë italiane.

Bëhet fjalë për Paulo Dybalan, Arthur dhe Weston McKennie, të cilët u gjetën në një festë të paligjshme në shtëpinë e amerikanit dhe u lanë jashtë derbit me Torinon, si dhe u gjobitën nga klubi bardhezi.

Të tre u stërvitën me skuadrën ditën e djeshme dhe do të vijojnë të punojnë rregullisht deri të martën në mbrëmje, ndërsa më pas trajneri Pirlo do të vlerësojë gjendjen e tyre për t’i përfshirë ose jo në formacionin e ndeshjes ndaj Napolit.

Situata te Juventusi nuk është aspak e qetë, pasi në dy ndeshjet e fundit në kampionat ka marrë vetëm një pikë dhe jo vetëm ka dalë plotësisht nga gara për titullin kampion, por rrezikon edhe arritjen e një vendi në zonën Champions.

Aktualisht bardhezinjtë dhe Napoli janë në kuotë të barabartë pikësh, 56 secila dhe ndeshja direkte do të vendosë jo pak sa i përket garës për zonën Champions, duke qenë se jemi futur në çerekun e fundit të kampionatit.

Përveç Juves, kjo ndeshje është me rëndësi të veçantë edhe për trajnerin Andrea Pirlo, pasi besimi ndaj tij është në nivele minimale dhe në Itali janë të bindur që në rast rezultati negativ ndaj Napolit, do të shkarkohet menjëherë.

(Kosova Sot Online )