Të punosh me Neymarin është e lehtë, ai është modest dhe i dëgjueshëm – thotë Pochettino

  • S.A /
  • 27 April 2021 - 09:46
Të punosh me Neymarin është e lehtë, ai është modest dhe i dëgjueshëm – thotë Pochettino

Mauricio Pochettino ka thënë se për të është kënaqësi ta stërvitë Neymarin, yllin brazilian të cilin e përshkruan si njeri të përulur, të dëgjueshëm dhe si lojtar që gjithmonë i pranon udhëzimet. Pochettino i mori në dorë frenat e Paris Saint-Germain në fillim të këtij viti dhe, derisa përballet me një luftë të zjarrtë për ta mbrojtur titullin në Ligue 1, është vetëm dy ndeshje larg paraqitjes së dytë radhazi në finale të Ligës së Kampionëve. Manchester City është pengesa e PSG-së në dy ndeshje gjysmëfinale dhe Neymar pritet të luajë rol kyc në rezultatin e këtyre ndeshjeve.

Neymari është njëri prej superyjeve që Pochettino i ka në dispozicion në Paris. Braziliani është një talent i madh dhe njeriu kryesor për ekipin e vet dhe për kombëtaren, por Pochettino këmbëngul se është e lehtë ta stërvitësh atë. “Me Neymarin është shumë e lehtë, sepse nuk ke nevojë të bësh shumë. Nga dita e parë, ai ka qenë shumë i hapur për të punuar. Ai është shumë modest, është i dëgjueshëm dhe gjithmonë i pranon udhëzimet”, tha Pochettino. “Lojtarët brazilianë kanë diçka të veçantë përbrenda. Atyre iu pëlqen të luajnë futboll sepse është sikur vallëzim. Ata luajnë sikur janë duke vallëzuar. Ata kanë nevojë të ndihen mirë dhe të lumtur për të luajtur në mënyrën më të mirë”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online )