Conte, mesazh tifozëve të Interit të cilët e kërkonin shkarkimin e tij

  • S.A /
  • 03 May 2021 - 09:49
Conte, mesazh tifozëve të Interit të cilët e kërkonin shkarkimin e tij

Antonio Conte beson se e ka fituar simpatinë e tifozëve të Interit, të cilët s’e kishin pranuar në fillim për shkak të së kaluarës së tij, megjithëse nuk tregoi nëse do të vijojë të jetë trajner i zikaltërve.

Conte u emërua trajner i Interit para dy vjetëve, në maj të vitit 2019, dhe e udhëhoqi klubin zikaltër drejt titullit të parë pas 11 vjetëve në sezonin e tij të dytë në Giuseppe Meazza.

Shumë tifozë të Interit ishin skeptikë dhe jo bash të kënaqur me emërimin e tij, për shkak të së kaluarës së tij si lojtar dhe trajner i rivalit, Juventus.

“Ata që kanë luajtur për Interin, apo që kanë qenë trajnerë të Interit, e kuptojnë se është një situatë e komplikuar. Duhet t’i kuptosh dinamikat e ndryshme, të shtirës nganjëherë, por pa e humbur identitetin asnjëherë dhe unë nuk e humba kurrë”, tha Conte. 

“Mendoj se këtë e vlerësuan ata të cilët në fillim nuk më pranuan mua për shkak të së kaluarës. Mua më sollën këtu  për ta kthyer Interin në binaret e fitores brenda tri vjetëve dhe unë e arrita këtë”, shtoi ai.

Në fund të nëntorit, trend në Twitter ishte hashtagu “ConteOut” dhe bëheshin sondazhe nëse Conte duhej të shkarkohej.

“Vazhdoj të jem i bindur se pas atyre gjërave qëndronin shumë tifozë të klubeve kundërshtare”, theksoi ai.

Megjithëse arriti sukses duke e fituar titullin, Conte refuzon të flasë për të ardhmen e vet.

“Ne jemi të përqendruar në të tashmen, natyrisht, sepse ishte e rëndësishme ta kryenin këtë punë dhe ta bënim Interin ta fitojë titullin për herë të parë pas shumë viteve”. 

(Kosova Sot Online )