Deklarohet Zidane pas eliminimit të Real Madridit nga Liga e Kampionëve

  • S.A /
  • 06 maj 2021 - 08:38
Deklarohet Zidane pas eliminimit të Real Madridit nga Liga e Kampionëve

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, e ka pranuar se Chelsea ishte ekip dukshëm më i mirë sesa skuadra e tij dhe se e meritoi triumfin në gjysmëfinale dhe rrjedhimisht kalimin në finale të Ligës së Kampionëve.

Timo Werner dhe Mason Mount shënuan për nga një herë për fitoren e Chelseat 2:0 kundër Realit në ndeshjen e kthimit në Stamford Bridge të mërkurën, duke ia siguruar të kaltërve kalimin në finale me rezultat të përgjithshëm 3:1.

Skuadra e Thomas Tuchel e mbizotëroi plotësisht Realin, veçanërisht në pjesën e dytë kur ka mundur të shënonte shumë herë, sikur mos të ishte për disa pritje mahnitëse të Thibaut Courtois.

Chelsea do të përballet me rivalin e Premierligës, Manchester City, në finalen e 29 majit në Stamboll.

Duke folur pas ndeshjes, Zidane e pranoi se Chelsea e meritoi plotësisht triumfin me rezultat të përgjithshëm 3:1. “Ata ishin superiorë, ata e merituan fitoren. Ata ishin më efektivë gjatë ndeshjes dhe kishin shumë raste, po ashtu”, tha Zidane.

“Ata e merituan kualifikimin pas dy ndeshjeve. Këto janë ndeshje të nivelit të lartë dhe neve na mungoi diçka sonte”, shtoi ai.

Trajneri francez këmbënguli se është krenar me lojtarët e tij për ecurinë deri në gjysmëfinale.

“Por, gjithsesi, duhet të them se mbes krenar me lojtarët e mi. Duhet ta urojmë veten që kemi arritur këtu. Ishim vetëm një ndeshje larg finales, por sonte ata ishin më të mirë”. 

(Kosova Sot Online )