Rebelët e Superligës përballen me pezullim 2-vjeçar nga Liga e Kampionëve

  • S.A /
  • 06 May 2021 - 09:22
Rebelët e Superligës përballen me pezullim 2-vjeçar nga Liga e Kampionëve

UEFA thuhet se është e përgatitur të ndërmarrë ‘veprim të ashpër disiplinor’ kundër klubeve të Superligës Evropiane, por tashmë janë afër marrëveshjeve me ekipet që u larguan nga ideja dhe jetësimi i garës.

Është raportuar që në 10 ditët e fundit janë parë bisedime të shumta në prapaskenë me 12 klubet e shkëputura për të shkëmbyer një sanksion më të lehtë për një angazhim zyrtar për të lënë përfundimisht projektin e Superligës Evropiane.

Sipas mediumit ESPN, Arsenali, Atletico Madridi, Chelsea, Liverpooli, Manchester City, Manchester Unitedi dhe Tottenham Hotspur tashmë kanë arritur një ‘mirëkuptim’ me UEFA-n. Interi gjithashtu besohet se është afër një marrëveshje, pasi ata ishin të parët nga italianët që u larguan nga ideja e themelimit të Superligës Evropiane.

Kjo lë vetëm Juventusin, Milanin, Real Madridin dhe Barcelonën, të cilët mund të bëhen një shembull i UEFA-s nëse vazhdojnë t’i qëndrojnë idesë së Superligës.Kjo mund të shkojë aq larg sa të përfshijë ndëshkime të rënda financiare dhe madje edhe përjashtim nga garat e UEFA-s për një ose dy vjet.

Kjo mund të jetë arsyeja pse Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, foli gjatë të mërkurës për media, duke u kërkuar të gjithëve që të bëjnë një hap prapa.“Ne duhet të shmangim të folurit për një luftë kur flasim për futbollin dhe kur bota po vuan nga një pandemi e paparë”.

“Disa veprime duhet të kenë pasoja dhe të gjithë duhet të marrin përgjegjësi, por gjithmonë duhet të keni kujdes kur flisni për sanksione”.“Ndëshkimi i një klubi është gjithashtu ndëshkimi i lojtarëve, trajnerëve dhe tifozëve, të cilët të gjithë nuk kishin asnjë lidhje me këtë”, ka thënë Infantino. 

(Kosova Sot Online )