Reagon Xavi, pasi mbërriti në Barcelonë me 22 valixhe

  • S.A /
  • 18 May 2021 - 09:34
Reagon Xavi, pasi mbërriti në Barcelonë me 22 valixhe

Xavi Hernandez ka këmbëngulur se shkoi në Barcelonë vetëm për pushim të verës dhe se nuk di gjë rreth thashethemeve për postin e trajnerit të Barçës.

Xavi mbërri në Katalonjë të hënën me plot 22 valixhe, pasi përfundoi sezoni 2020/21 për skuadrën e tij Al Sadd.

Ai u pyet nëse do ta zëvendësojë Ronald Koemanin në postin e trajnerit të Barcelonës. Por Xavi e hodhi poshtë një lajm të tillë, duke thënë se është në Barcelonë vetëm për pushime.

Mesfushori legjendar i Barcelonës shoqërohej nga familja e tij në kryeqytetin katalan, të cilin kishte dy vjet pa e vizituar. I pyetur disa herë nga gazetarët në aeroport nëse do ta merrte drejtimin e Barçës, Xavi tha: “Nuk di asgjë, kam ardhur këtu për pushim”.

Javë më parë, Xavi e vazhdoi marrëveshjen me Al Saddin deri më 2023, megjithëse klubi nga Katari ka thënë se nuk do ta pengojë spanjollin nëse ai merr ofertë nga Barcelona.

(Kosova Sot Online )