“Lutemi për Palestinën” – Pogba sillet rrotull fushës në Old Trafford me flamur palestinez në dorë

  • S.A /
  • 19 May 2021 - 10:04
“Lutemi për Palestinën” – Pogba sillet rrotull fushës në Old Trafford me flamur palestinez në dorë

Dyshja e Manchester Unitedit, Paul Pogba dhe Amad Diallo, e sillen vërdallë nëpër fushën e Old Traffordit me flamur palestinez në dorë, pas barazimit 1:1 me Fulhamin në ndeshjen e parafundit në Premierligë.

Unitedi, që sezonin në ligë do ta mbyllë në vendin e dytë, luajti përballë 10 mijë tifozëve për herë të parë pas një kohe të gjatë, pasi qeveria britanike e lejoi kthimin e tifozëve nëpër stadiume në numër të kufizuar.

Kjo ishte ndeshja e fundit në shtëpi për djajtë e kuq, edhe pse ndeshjen e fundit të sezonit në ligë do ta zhvillojnë të dielën kundër Wolves në udhëtim, para se të përballet me Villarrealin në finale të Ligës së Evropës.

Është traditë për lojtarët e Unitedit të sillen rrotull fushës pas ndeshjes së fundit të sezonit në Old Trafford dhe Pogba e shfrytëzoi këtë për ta shfaqur përkrahjen për Palestinën në konfliktin me Izraelin, duke e mbajtur në dorë një flamur palestinez. Atij iu bashkua më vonë edhe i riu Diallo.

Më vonë, Pogba shkroi në rrjetet sociale: “Ta mbajmë botën të sigurt dhe të lirë nga dhuna. Lutemi për Palestinën”.

https://www.instagram.com/p/CPBv7OTJGrf/?utm_source=ig_embed&ig_rid=aebfe075-1e46-4ce9-be4d-6cf26d28859a

(Kosova Sot Online )