E pa besueshme: Real Madridi, Barcelona dhe Juventusi po e kërcënojnë UEFA-n...

  • S.A /
  • 01 June 2021 - 08:59
E pa besueshme: Real Madridi, Barcelona dhe Juventusi po e kërcënojnë UEFA-n...

Real Madridi, Barcelona dhe Juventusi janë duke e kërcënuar UEFA-n dhe janë të vetmit që mendojnë se toka është e sheshtë, ka thënë shefi i shtëpisë së futbollit evropian, Aleksander Ceferin.

Dy gjigantët spanjoll dhe ai italian ende nuk janë tërhequr nga projekti i Superligës Evropiane, garës të cilën 12 klube evropiane u përpoqën ta krijonin më 12 prill.

Megjithatë, Superliga Evropiane nuk duroi as 48 orë, gjashtë klubet kryesore në Premierligë, Manchester City, Manchester United, Liverpool, Chelsea, Arsenal dhe Tottenham u tërhoqën bashkë me Interin, Milanin dhe Atletico Madridin.

Derisa nëntë prej 12 klubeve themeluese u dorëzuan, Reali, Barça dhe Juve vazhdojnë të bëjnë përpjekje në jetësimin e një gare ndarëse siç është Superliga. Por për Ceferin ajo ka marrë fund tashmë. “Madje edhe njerëzit që nuk ia kanë idenë fare në botë e kuptojnë që Superliga ka marrë fund”, tha Ceferin për The Telegraph. “Njerëzit po thoshin se ‘pronarët amerikanë’ (të tri klubeve të Premierligës kanë faj), por mos harroni se tri klubet e vetme që mendojnë se toka është e sheshtë janë dy spanjolle dhe një italiane”, shtoi ai.

“Ato dolën me një deklaratë se Superliga ende ekziston. Dy ditë më vonë, ato na dërguan aplikacionin për të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve. Pra, ato janë në Superligë dhe jashtë Ligës së Kampionëve por duan të luajnë në Ligën e Kampionëve. Ato thanë se Liga e Kampionëve ka marrë fund por duan të luajnë në të”, nënvizoi ai. “Ato po na kërcënojnë, duke na dërguar letra se do të na padisin në gjykatë kriminale. Ato sigurisht kanë shumë para. Ato duhet të investojnë në futbollin e vashave dhe të të rinjve”, shtoi ai. Javën e kaluar, UEFA e hapi një procedurë disiplinore ndaj tri klubeve në fjalë dhe sipas mediave të ndryshme, ato mund të përjashtohen nga Liga e Kampionëve për sezonin 2021/22.

(Kosova Sot Online )