Ky është sukses historik i Shteteve të Bashkuara në CONCACAF Nations League

  • S.A /
  • 07 June 2021 - 11:05
Ky është sukses historik i Shteteve të Bashkuara në CONCACAF Nations League

Shtetet e Bashkuara të Amerikës triumfojnë në edicionin e parë të CONCACAF Nations League. Një sukses historik ky i përfaqësueses amerikane pas një finaleje sektakolare dhe emocionuese e fituar 3-2 përballë Meksikës.

Në këtë sfidë të zhvilluar në Denver, përfaqësuesja “El Tricolor” kaloi në epërsi që në minutën e 2-të me Jesus Coronan, i cili përfitoi nga gabimi i McKenzie, duke depërtuar në zone, dhe me një të majtë të saktë nuk i dha mundësi reagimi portierit Steffen.

Në të 27-tën, pas një goli të anuluar të McKenzie, Giovanni Reyna realizoi për barazimin e përkohshëm 1-1. Duhej pritur minuta e 79-të që të vinte goli i tretë i takimit nga meksikani Lainez, por vetëm 3 minuta më vonë amerikanët barazuan për herë të dytë sfidën, këtë herë me më të mirin në fushë, McKennie, që devijoi saktë me kokë në zhvillimet e një këndoreje të ekzekutuar nga Reyna. 90 minutat e lojës së rregullt u mbyllën pa fitues kështu që u desh të luheshin dy kohë shtesë me nga 15 minuta.

Golin që u dha avantazhin Shteteve të Bashkuara e realizoi sulmuesi i Chelsea-t, Pulisic, në minutën e 114-të, nga pika e bardhë e penalltisë. Fillimisht, gjyqtari kërkoi vijimin e lojës në momentin e ndërhyrjes ndaj Pulisicit, por më pas u sinjalizua nga sistemi VAR, duke akorduar për 11-metërsh. Shpërthen festa e tifozëve amerikanë, por sfida do të dhuronte të tjera emocione të forta për infarkt. Në minutën e 119-të, Meksika do të fitonte një 11-metërsh po me ndihmën e VAR-it, për prekje të topit me dorë nga McKenzie. Goditjen nga pika e bardhë e mori përsipër Andres Guardado, i cili, me sa duket, u hipnotizua nga portieri Horvath, që ishte futur në fushë në minutën e 69-të në vend të të dëmtuarit Steffen.

Të papërmbajtshëm futbollistët amerikanë, që vrapojnë të gjithë për të përqafuar heroin e mbrëmjes, portierin Horvath, që bëri mrekullinë kur kishte skaduar edhe koha shtesë. Gëzim i dyfishtë për mesfushorin e Juventusit, McKennie, që përveçse fitoi trofenë, u shpall lojtari më i mirë i kompeticionit.

(Kosova Sot Online )