Kumbulla mezi pret takimin me tifozët, thotë se mbylli një sezon emocionues

  • S.A /
  • 12 June 2021 - 11:57
Kumbulla mezi pret takimin me tifozët, thotë se mbylli një sezon emocionues

Kumbulla mezi pret takimin me tifozët, thotë se mbylli një sezon emocionues

Pas grumbullimit me kombëtaren shqiptare, ku luajti titullar në dy miqësoret ndaj Uellsit e Republikës Çeke, Marash Kumbulla ka mbyllur sezonin 2020-2021 dhe ka nisur pushimet thuajse një mujore.

Mbrojtësi kuqezi, që mbylli një sezon me luhatje për shkak të dëmtimeve te Roma, do të rinisë përgatitjet me verdhekuqtë më 5 korrik, këtë herë nën drejtimin e një emri të madh si Jose Mourinho, teksa nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale e ka quajtur mjaft emocionues vitin që lamë pas.

“Pas këtyre dy testeve të rëndësishme me kombëtaren time, sezoni im futbollistik ka përfunduar. Kanë qenë mjaft emocionuese për mua debutimi me Romën në kompeticionet europiane, goli i parë me fanellën verdhekuqe, goli i parë në Serinë A dhe rritja ime me Shqipërinë, me të cilën kam ëndërr të arrij objektiva madhorë. Ka pasur shumë gjëra pozitive që i mbaj në memorie këtë sezon, ndërsa ato negativet më kanë shërbyer shumë për t’u përmirësuar. Është vetëm fillimi dhe dua të vazhdoj të rritem. Mezi pres të nisim përgatitjet për sezonin e ri dhe shpresoj të takoj tifozët në “Olimpico”. Faleminderit”, shkruan Kumbulla në llogarinë e tij në Instagram.

Mbrojtësi 21-vjeçar spikati një sezon më parë me fanellën e Veronës në Serinë A dhe verën e kaluar u transferua te Roma për një shifër më të lartë se 30 milionë euro, ndërsa me fanellën verdhekuqe luajti 28 ndeshje, duke shënuar edhe dy gola.

(Kosova Sot Online )