Florentino Perez s’do t’ia dijë për legjenda

  • S.A /
  • 18 June 2021 - 12:15
Florentino Perez s’do t’ia dijë për legjenda

Një tjetër legjendë e Real Madridit, në njëfarë mënyre, u largua nga dera e pasme nga Los Blancos.

Të enjten ishte ditë e trishtueshme për të gjithë madrilenët, pasi një legjendë si Sergio Ramos, u largua pas 16 vjetësh nga Real Madridi, në moshën 35-vjeçare.Derisa Manchester City po i ofron kontratë të re një 36-vjeçari si Fernandinho e shumë futbollistë tjerë nëpër klube të ndryshme, Florentino Perez edhe njëherë tregoi dorë të hekurt duke mos respektuar një legjendë të klubit, aq më shumë që deshi të rinovojë, edhe pse vendosi të qëndrojë shumë vonë, vetëm javën e kaluar.

Reali është kritikuar gjithmonë për largimin e legjendave në një mënyrë aspak shembullore, duke nisur nga Fernando Hierro, më pas Raul Gonzales, më pas Guti, Iker Casillas dhe në fund kulmi ishte me Cristiano Ronaldon, që as nuk u përshëndet dhe as nuk iu bë një ceremoni pas prishjes së marrëdhënieve me presidentin e klubit. Reali dhe Perez edhe njëherë nuk u menduan dy herë për gjithçka që i ka dhuruar Ramos klubit dhe për dëshirën që kishte për të qëndruar, duke e larguar atë si të ishte një lojtar si gjithë të tjerët.

(Kosova Sot Online )