Mourinho për Hazardin: “Ai nuk stërvitet, nëse do të ishte profesionist…”

  • S.A /
  • 19 June 2021 - 16:20
Mourinho për Hazardin: “Ai nuk stërvitet, nëse do të ishte profesionist…”

José Mourinho e di më së miri se çfarë po ndodh me Eden Hazardin. Në “talkSPORT”, ku është i ftuar për “Euro 2020” në rolin e analistit, gjeti kohë që të flasë për futbollistin e Realit, që po vuan në Santiago Bernabeu, derisa në Londër me Chelsean ishte tjetër futbollistë. Mourinho duket se e ka të qartë, ai ka përsëritur se Hazardi nuk punon siç duhet e as sa duhet.

“Është lojtar fantastik, por në stërvitje i neveritshëm. Ai është djalosh, njeri familjar, i përkushtuar për fëmijët, prindërit dhe gjithçka, bën jetë të qetë. Por kur hyn në fushë cdo mëngjes (stërvitje)… nuk punon shumë. Kur e shihni në fushë nuk shihni një njeri që punon, apo si rezultat i punës, por një lojtar të talentuar. Imagjinoni nëse ai do të ishte një profesionist….”, deklaroi trajneri i Romës. Hazard ka shënuar vetëm 5 gola në 43 ndeshje me fanellën e Real Madridit. Mourinho zbuloi se çfarë mendoi kur atë e bleu Reali.  “Wow, ky djalë do të shkojë në klubin më të madh në botë dhe ai do të ndiejë presion të madh për të qenë gjithmonë më lartë, ky djalë do të fitojë Topin e Artë, sepse ai është i mahnitshëm. Por për sa i përket aftësisë së tij, shpejtësisë, gjendjes së tij, ai do të ishte një lojtar shumë më i mirë (nëse do të stërvitej siç duhet). Ajo që shihni është thjesht talenti që e çoi Edenin atje ku është dhe është fantastik, s’ka fjalë”.

“Ai ka pasur më shumë lëndime në Real Madrid sesa gjatë gjithë kohës që ishte me mua në Chelsea. Ai kishte një të tillë por nuk ishte asgjë e rëndësishme. Por në Madrid ai hyri në këtë dinamikë negative të dëmtimeve dhe kjo ndoshta e preku atë”.

“Me Martinezin, që e do shumë, besoj se Hazard do të gjejë veten sepse tani është vetëm zëvendësues, por deri në fund do të përfundojë titullar”. 

(Kosova Sot Online )