“E majta a e djathta, për Xherdanin s’është problem” – Zhegrova i mahnitur nga Shaqiri e Xhaka

  • S.A /
  • 21 June 2021 - 10:05
“E majta a e djathta, për Xherdanin s’është problem” – Zhegrova i mahnitur nga Shaqiri e Xhaka

Edon Zhegrova ka mbetur i mahnitur nga paraqitje e jashtëzakonshme e dy bashkatdhetarëve të tij, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, në fitoren e Zvicrës 3:1 kundër Turqisë të dielën në Euro 2020. Anësori i Kombëtares së Kosovës e shikoi nga pushimet në TV Shaqirin duke e frymëzuar Zvicrën drejt fitores së parë në Euro 2020 me dy gola mbresëlënës, e cila ia mban gjallë shpresat helvetikëve për ta arritur rrethin e 16 më të mirëve në këtë turne.

Zhegrova, i cili e pati një sezon të mirë 2020/21 me Baselin në Superligën e Zvicrës duke i shënuar pesë gola dhe gjashtë asiste në 30 paraqitje, ka mundur të ishte pjesë e Euro 2020 por Kosova dështoi në play-off duke pësuar humbje nga Maqedonia e Veriut, shteti fqinj që siguroi pjesëmarrjen për herë të parë në historinë e vet.

Por 22-vjeçari, që s’u ftua fare nga Bernard Challandes për ndeshjet miqësore të Kosovës në qershor, ndihet krenar me dy bashkatdhetarët e vet që po e udhëheqin Zvicrën në evropian.

Reklamë

Shaqiri i shënoi dy gola spektakolar, përfshirë një me këmbën e tij të dobët, të djathtën, kur e gjeti cepin e lartë të majtë të Cakir me një goditje mahnitëse nga rreth 20 metra largësi.

“Xherdan Shaqiri, e majta e djathta, nuk është problem. Krenar!” shkroi ai në Instastroy.

Ndërkohë, Xhaka bëri punë të madhe para mbrojtës së Zvicrës, duke u siguruar që turqit të mos kalojnë për të shënuar.

Një ndërhyrje e mrekullueshme mesfushorit të Arsenalit  nga mbrapa ndaj një futbollisti turk për ta larguar rrezikun i la shumë mbresa prishtinasit, i cili shkroi: “Xhaka, çfarë lojtari!”

Kjo ishte fitorja e parë e Zvicrës në këtë turne, pas barazimit 1:1 me Uellsin në ndeshjen hapëse dhe humbjes së thellë 3:0 kundër Italisë në ndeshjen e dytë.

Zvicra e mbyll grupin në vendin e tretë me katër pikë dhe goldallim -1, dhe do të shpresojë se katër pikë do t’i mjaftojnë ta sigurojë kualifikimin si njëra prej katër skuadrave të renditura më së miri në pozitën e tretë.

Nga Grupi A, Italia kualifikohet si lidere me nëntë pikë nga tri ndeshje dhe Uellsi nga vendi i dytë. Uellsianët u kualifikuan tutje para zviceranëve falë goldallimit më të mirë.

Turqi largohet nga Euro 2020 qysh në fazën e grupeve pas tri humbjeve në tri ndeshje.

(Kosova Sot Online )