Jo Asociacion me kompetenca juridikisht të veçanta!

Jo Asociacion me kompetenca juridikisht të veçanta!
Jo Asociacion me kompetenca juridikisht të veçanta!

Nexhat Haziri

  • 21 June 2021 - 07:54

Shkruan: Analist- Nexhat Haziri

Kosova duhet ta formojë Asociacionin e Komunave Serbe, pasi për këtë ka marrë edhe obligime ndërkombëtare në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe mbi kornizën e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Në këtë proces opozita nuk duhet të bëjë shou politik për përfitime politike, pasi të gjitha partitë politike që tashmë janë në opozitë kanë qenë pjesë e procesit të bisedimeve me Serbinë të ndërmjetësuara nga BE-ja, ku pjesë e këtij procesi është edhe ASK-ja.

Çfarëdo tentimi për ta shfrytëzuar këtë proces për përfitime politike është e pandershme nga ana e tyre. AKS-ja, nuk duhet te na qoj ne përplasje me aleatet tanë, sidomos me SHBA-n. Kryeministri Kurti në vend të deklaratave populiste për konsum të brendshëm, duhet t'i qaset seriozisht këtij procesi për t'i bindur SHBA-t por edhe aleatet evropian që Asociacioni i Komunave Serbe, të formohet konformë vërejtjeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të kërkoj garanci që ky trup nuk duhet të shfrytëzohet nga Serbia për ta penguar Kosovën në funksionimin e saj si shtet qoftë në aspektin e brendshëm apo edhe në atë ndërkombëtar.

E ritheksoj edhe një herë se për ASK-në është vendosur në Kumanovë më 9 qershor të vitit 1999, dhe është vulosur me trazirat marsit të vitit 2004, dhe është sjellë në tavolinën e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013. Do të ishte fitore e madhe për Kosovën, nëse arrijmë që vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese për ASK-në do të merreshin parasysh nga aleatët tanë ndërkombëtar që janë garantues të çfarëdo marrëveshje që do të arrihet në mes Kosovës dhe Serbisë në bisedimet e Brukselit.

Sa i përket çështjes së interesave të shqiptarëve në Ballkan, kjo çështje nuk i takon vetëm Kosovës deri sa kemi një sjellje inferior të Tiranës zyrtare por edhe të faktorit tjetër politik shqiptar në Ballkan, dhe më shumë e shohë se abuzohet me këtë temë se sa në realitet ekziston ndonjë vullnet për shtyrë përpara këtë çështje. Duhet ta pranojmë një gjë se shqiptarët nuk janë faktor as politik, as ushtarak, e as ekonomik në Ballkan, dhe çështja shqiptare në Ballkan nuk avancohet me patriotizëm romantik e as me llafe koti.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".