Italia hap dyert për tifozët, Seria A nis me 25% të kapacitetit të stadiumeve

  • S.A /
  • 23 June 2021 - 10:47
Italia hap dyert për tifozët, Seria A nis me 25% të kapacitetit të stadiumeve

Një lajm mjaft i mirë vjen nga Italia, pasi sezoni i ri i Serisë A do të startojë me praninë e publikut, ndonëse ende jo me kapacitet të plotë të stadiumeve.

Një zyrtar i shëndetësisë në Itali, tha se është vendosur që duke filluar nga java e parë më 22 gusht, të hapen dyert e stadiumeve, në masën 25% të kapacitetit.

“Kemi folur paraditen e sotme me ministrin Speranza në lidhje me sezonin e ri dhe mund t’u them se që nga java e parë e Serisë A do të hapen stadiumet në masën 25% e kapacitetit, me tendencën për t’u rritur nga java në javë”, u shpreh zyrtari Andrea Costa.

Situata me koronavirusin në Itali është përmirësuar ndjeshëm dhe rastet kanë rënë, ndërsa procesi i vaksinimit vijon me shpejtësi, me shpresën që edhe vjeshta e dimri i ardhshëm nuk do të jenë më aq të frikshme sa ky që kaluam.

Ndërkohë lajmi për praninë e tifozëve është mjaft pozitiv për futbollin, që do të jetë më i zhurmshëm, më entuziast dhe më i bukur, por edhe për klubet, që do të mund të arkëtojnë sadopak para nga shitja e biletave.

(Kosova Sot Online )