Pamje: Ronaldo e hedh dhe e shkelmon shiritin e kapitenit i mllefosur me eliminimin e Portugalisë nga Euro 2020

  • E.K /
  • 28 June 2021 - 14:33
 Pamje: Ronaldo e hedh dhe e shkelmon shiritin e kapitenit i mllefosur me eliminimin e Portugalisë nga Euro 2020

Cristiano Ronaldo ishte dukshëm i mërzitur dhe inatosur me largimin e hershëm të Portugalisë nga Euro 2020, pas disfatës 1:0 kundër Belgjikës, saqë shkoi aq larg sa ta hedhë në tokë dhe ta shkelmojë shiritin e kapitenit pas përfundimit të ndeshjes të dielën.

Thorgan Hazard e shënoi golin e vetëm dhe të triumfit për Belgjikën në Estadio de La Cartuja, për ta dërguar skuadrën e Roberto Martinezit në çerekfinale.

Portugalia dështoi në përpjekjet e saj për ta mbrojtur trofeun evropian, të fituar më 2016, dhe u largua nga Euro 2020 me vetëm një fitore, dy humbje dhe një barazim.

Ronaldo, i cili i shënoi pesë gola, më së shumti deri tani në këtë turne, ishte në kërkim të një rekordi personal, përvec lavdisë me atdheun.

Ai synonte ta thyente rekordin e legjendës së Iranit, Daei, për më së shumti gola ndërkombëtar, pasi e kishte barazuar rekordin e tij prej 109 golave në ndeshjen paraprake kundër Francës.

Sulmuesi 36-vjeçar i Juventusit e rrezikoi portën e Thibaut Courtois vetëm një herë, kur e detyroi atë ta bëjë një pritje brilante me një goditje të fuqishme nga gjuajtja e lirë por nuk u vërejt më në vazhdim.

Portugalia ka mundur ta barazonte rezultatin në dy raste 10 minuta para fundit, por goditja e fuqishme me kokë e Dias u ndal nga Courtois, para se Guerrero ta godiste shtyllën pak çaste më vonë.

(Kosova Sot Online)