Si është ta menaxhosh Ronaldon!

  • A.P /
  • 06 July 2021 - 16:31
Si është ta menaxhosh Ronaldon!

Trajneri i Lazios, Maurizio Sarri, ka thënë se nuk është aspak e thjeshtë ta menaxhosh Cristiano Ronaldon, të cilin e pati nën urdhrat e veta gjatë kohës së kaluar në krye të Juventusit.

Sarri e kishte zëvendësuar Massimiliano Allegrin në postin e trajnerit të Juventusit në verën e vitit 2019 dhe, megjithëse e fitoi titullin në Serie A, ai u shkarkua menjëherë pasi skuadra u eliminua nga Liga e Kampionëve pas humbjes kundër Lyonit në 1/8 e finales

Ronaldo e mbaroi sezonin me 30 gola në Serie A – më së shumti gjatë kohës së tij në Itali – dhe Sarri tregoi se nuk e kishte të lehtë ta menaxhonte portugezin, pavarësisht statistikave mbresëlënëse të tij.

“Nuk është e thjeshtë ta menaxhosh Ronaldon, nga çdo pikëpamje”, tha Sarri për Sport Italia.

“Ai është sikur një kompani shumëkombëshe, ka interesa personale të cilat patjetër duhet të përkojnë me futbollin. Interesat e tij janë përtej normales, përtej ekipit apo klubit. Unë jam trajner jo menaxher. Megjithatë, Ronaldo flet me numra në fund të vitit”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)