Mërgata shqiptare vetëm brenda një viti sjell në Kosovë mëse 1 miliard euro

Mërgata shqiptare vetëm brenda një viti sjell në Kosovë mëse 1 miliard euro
Mërgata shqiptare vetëm brenda një viti sjell në Kosovë mëse 1 miliard euro

Gani Qarri

  • 02 June 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

O njerëz, o shqiptarë a shqipfolës, çfarëdo që jeni apo ndjeheni, o mos e bëni namin, o burra e gra të këtij vendi, se 2 milionë euro pasuri po i deklaron një politikan i vetëm në banka e prona të paluajtshme, të grumbulluara në mënyrë të pasqaruar pas luftës në Kosovë, dhe askush nuk po reagon kaq me mllef.

 

-Vëreni more njëherë gishtin në kokë dhe mendoni me gjakftohtësi se çfarë përfitimi mund të ketë mërgata, që sipas përllogaritjeve në disa portale, i binte hiq më shumë se nga 4 deri në 6 euro për pasagjer, që në fakt nuk nënkupton asgjë më shumë sesa një kafe dhe një ujë të gazuar në Kosovë, para që nuk i llogarit kush dhe as që do t’i merrte njeri për to gjithë atë rrugë, kështu që mos u koritni e ta lëshoni veten kaq poshtë, se kurrë në asnjë kohë populli shqiptar, i njohur për patriotizëm e sakrifica kombëtare, nuk ka lejuar që të merremi me imtësi të tilla kaq të papërfillshme.

Mërgata shqiptare vetëm brenda një viti sjell në Kosovë mëse 1 miliard euro, apo edhe më tepër, dhe askush nuk ankohet pse e bëjnë këtë mërgimtarët. Ata, kudo që janë me punë e qëndrim jashtë vendit, nuk kanë hequr kurrë dorë nga atdheu. Në Dardani kanë familjet, shtëpitë, pronat dhe pasuri të tjera financiare e të luajtshme, kështu që nuk ka forcë as propagandë, sado e ulët që të jetë, e cila mund t’i largojë, ndajë apo përjashtojë ata nga proceset që zhvillohen në vendin e tyre.

Sa më i lartë të jetë "kundërshtimi" nga propagandistët e kolonës së pestë, aq më i fortë do të jetë edhe kundërreagimi dhe vendosmëria e mërgimtarëve patriotë për t’u bërë pjesë e zhvillimeve në paqe, ashtu siç është dëshmuar në vepër, me pjesëmarrjen aktive edhe në luftën për liri dhe çlirimin e atdheut tonë të përbashkët, Kosovën heroike.

Kuptojeni njëherë e përgjithmonë se vendimi i kryeministrit Kurti, që t’u ndajë 2 milionë euro aviokompanive për të mbështetur fluturimet e diasporës drejt Kosovës, as që luan rol fare për diasporën dhe ata të cilët e kanë ndarë mendjen të votojnë, do ta bëjnë këtë pa marrë parasysh eurot, qoftë duke ardhur në Kosovë apo duke votuar në përfaqësitë e saj diplomatike e konsullore në Evropë dhe botë.

Se është apo jo subvencionimi i linjave ajrore praktikë “normale”, besoni se as që merret kush me këtë punë dhe tensionet politike e përçarjet banale që zhvillohen pa asnjë etikë dhe nivel, për të bërë propagandë të shfrenuar në prag të të gjitha zgjedhjeve, nuk po ndodhin vetëm tani dhe ekskluzivisht për 2 milionët e problematizuar në mënyrë të skajshme dhe pa asnjë nevojë, por kjo propagandë është fryt i parave të pista, dhjetëra apo edhe qindra milionëshe të dyshimta, që futen me thasë nga Serbia dhe qendra të tjera konspirative, për përçarjen e shqiptarëve dhe thellimin e polarizimeve të skenës politike në Kosovë.

Garancia më e fortë dhe e pakontestueshme, flas sa i takon diasporës, qëndron në faktin se mërgimtarët, të cilët kanë vendosur ta votojnë LVV-në dhe kryeministrin Albin Kurti, nuk kanë kërkuar nga askush e nuk kërkojnë as nga ai para, as nuk e votojnë atë për para, edhe po të ishin ato shuma nga 2 milionë euro për person.

Mërgimtarët kanë dëshmuar me kohë dhe në të gjitha situatat se nuk janë njerëz që shiten, as blihen për para e privilegje, e këtë e kanë vërtetuar në vepër edhe përballë përpjekjeve shumë herë më të mëdha, madje të shoqëruara edhe me përdorimin e forcës, por mërgata nuk është shitur as dorëzuar në asnjë rast dhe moment, sado të rëndë, ndaj ndalojeni propagandën e pistë, se mërgimtarët nuk kanë pranuar t’i hanë as plazmakeksat e Serbisë, kur juve u shkumonte goja duke u ushqyer edhe para nesh me to, dhe na sulmonit edhe atëherë, njëjtë si sot për politikë, pse nuk i hanim plazmakeksat e Serbisë, sepse juve ju shijonin shumë.

Dhe për dijeninë tuaj, mërgimtarët kanë mësuar shumë mirë se si votohet në Evropë dhe botën demokratike anembanë globit, ndaj mos na mbani kaq shumë “ders”, se nuk po jua kërkon askush, dhe ju ftoj të mos harroni edhe një gjë: se mërgimtarët nuk janë ju, e as si ju. Ata nuk kanë ditur kurrë çka është dorëzimi dhe as që do të dobësohen apo ligështohen para propagandës serbe, të përkthyer nga ju në shqip, që për fat të keq, kohët e fundit gjithnjë e më zëshëm, po e shumëfishon një numër jo i vogël i individëve të shitur dhe papagajve shqipfolës në Kosovë, fenomen i habitshëm me shumë pikëpyetje prapa, me të cilin do të ishte mirë të merrej sa më parë dhe seriozisht AKI-ja dhe Prokuroria, për të kuptuar arsyet dhe financuesit e saj.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".