Anglia përballet me Danimarkën, synon finalen e parë në 55 vitet e fundit

  • S.A /
  • 07 July 2021 - 10:59
Anglia përballet me Danimarkën, synon finalen e parë në 55 vitet e fundit

Anglia do të përballet sot me Danimarkën në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian 2020 në Wembley, me synim për t’i dhënë fund pritjes 55-vjeçare për të arritur në një finale të madhe. Takimi gjysmëfinal mes Anglisë dhe Danimarkës do të zhvillohet para 60 mijë tifozëve në stadiumin Wembley në Londrën, sonte në orën 21:00. Fituesi i këtij takimi do të përballet me Italinë në finalen e të dielës në Wembley.

Shpresat dhe pritjet janë të mëdha që skuadra e Gareth Southgate t’ia sjellë vendit trofeun e parë që prej vitit 1966, kur Angli e kishte fituar Kupën e Botës.

Anglia e mundi bindshëm Ukrainën në çerekfinale, ndërsa Danimarka e kaloi Republikën e Çekisë për të ardhur deri këtu. Hera e fundit kur Danimarka shkoi kaq larg ishte viti 1992, kur danezët e fituan trofeun e parë dhe të vetëm deri më sot evropian. Anglia nuk pritet ta ketë aspak lehtë ndaj danezëve, të cilët janë bërë seç herë e më të fortë në këtë turne, që prej incidentit të Christian Eriksenit në ndeshjen hapëse, i cili kishte pësuar arrest kardiak. 

(Kosova Sot Online )