Ish-ylli i Argjentinës: Messi s’do të jetë kurrë si Maradona, edhe nëse e fiton Kupën e Botës 4 herë

  • S.A /
  • 14 July 2021 - 09:10
Ish-ylli i Argjentinës: Messi s’do të jetë kurrë si Maradona, edhe nëse e fiton Kupën e Botës 4 herë

Megjithëse Lionel Messi e fitoi Kupën e Amerikës 2021 së fundmi, trofeun e tij të parë dhe shumë të kërkuar me kombëtaren, Mario Kempes këmbëngul se 34-vjeçari nuk duhet të krahasohet asnjëherë me legjendën Diego Maradona.

Në vitet e fundit është përhapur një debat nëse Messi do t’ia dalë të bëhet lojtar më i mirë dhe lider më i madh se bashkatdhetari i vet Maradona.

Por Kempes, i cili e fitoi Kupën e Botës përkrah Maradonës me Argjentinën në vitin 1978, beson se një gjë e tillë është e paarritshme për Messin.

“Për Messin, fatkeqësia është se ai ka qenë zëvendësuesi i Diego Maradonës. Është shumë e vështirë ta lësh në hije Diegon, për shkak të asaj sesa shumë adhurohet ai nëpër botë”, tha Kempes.

Ai shtoi: “Nëse Messi dëshiron të jetë më i mirë se Maradona, ai nuk do ta arrijë këtë edhe nëse i fiton katër Kupa të Botës radhazi. Ai ende nuk e ka fituar Kupën e Botës. Pavarësisht sesa shumë tituj do t’i fitojë ai apo cfarë do të fitojë, ai kurrë nuk mund të krahasohet me Diegon”.

Messi e udhëhoqi Argjentinën drejt lavdisë në Kupën e Amerikës 2021 të shtunën mbrëma në Rio de Janiero, duke i dhënë fund agjërimit të pambarim për një trofe të madh me ekipin kombëtar, raporton Gazeta Express.

Argjentina e mundi Brazilin 1:0 në finalen e së shtunës në Maracana, falë një goli të Angel Di Marias midis stadiumit të famshëm të Rio de Janieros, Maracana. Ky triumf ishte madhështor për argjentinasit sepse erdhi kundër rivalit kryesor të tyre dhe pikërisht në tempullin e famshëm brazilian.

Gjashtë herë fituesi i Topit të Artë, i cili ka fituar trofe dhe çmime të panumërta në nivel klubi me Barcelonën, më në fund e fitoi trofeun e parë të madh me Argjentinën.

Ikona 34-vjeçare, i cili është lojtari i lirë tani për tani pasi i ka mbaruar marrëveshja me Barcelonën, kishte dështuar në katër finale të mëdha paraprakisht, tri në Kupën e Amerikës dhe një në Kupën e Botës më 2014.

Messi e barti vetë Argjentinën deri në finale duke u përfshirë në çdo gol të shënuar nga skuadra e Lionel Scalonit në një mënyrë apo tjetër.

Ai u zgjodh lojtari më i mirë i turneut dhe po ashtu golashënuesi më i mirë i turneut, me katër gola dhe pesë asiste në gjashtë ndeshje. 

(Kosova Sot Online )