Fury e refuzoi dozën e dytë të vaksinës, para se të infektohej me COVID-19

  • S.A /
  • 14 July 2021 - 09:38
Fury e refuzoi dozën e dytë të vaksinës, para se të infektohej me COVID-19

Tyson Fury vendosi të mos e marrë dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19, pasi druhej se efektet e saj anësore do të kishin ndikim në përgatitjet e tij për trilogjinë me Deontay Wilder.

Kampioni i botës në kategorinë e rëndë në WBC Fury duhej të luftonte kundër Wilderit më 24 korrik në Las Vegas.

Megjithatë, të premten e kaluar u raportua se ai doli pozitiv në testin për koronavirus dhe si pasojë meçi i tij i tretë me boksierin amerikan më shumë gjasë do të luhet në tetor.

Promotori i Fury, Bob Arum, ka zbuluar se boksieri i pamposhtur britanik po ndihet shumë më mirë tani dhe konfirmoi se ai duhet të vaksinohet plotësisht para meçit me Wilderin.

Arum shpjegoi në një konferencë për media më 15 qershor se Fury dhe Wilder ishin vaksinuar plotësisht. Ai i sqaroi komentet e tij më vonë duke thënë se kishte shpresuar se Fury e kishte marrë vaksinën Johnon & Johnos, e cila ka vetëm një dozë.

Megjithatë, Fury e kishte marrë vaksinën Moderna, e cila i ka dy doza.

Nga frika se efektet anësore mund t’ia prishin përgatitjet për meçin, Fury kishte vendosur të mos e merrte dozën e dytë.

“Ai u vaksinua në Miami. Ai e mori dozën e parë dhe pastaj tha se nuk e donte dozën e dytë sepse nuk donte të sëmurej (nga vaksina) pak para meçit. Prandaj edhe u infektua me COVID”, shtoi ai.

Edhe personat e vaksinuar plotësisht infektohen me koronavirus, por vaksina i parandalon simptomat serioze dhe shtrirjen në spital. 

(Kosova Sot Online )