Motër e vëlla nga Kosova buzë medaljeve në Lojërat Olimpike Tokio 2020

  • S.A /
  • 26 July 2021 - 09:23
Motër e vëlla nga Kosova  buzë medaljeve në Lojërat Olimpike Tokio 2020

Nora dhe Akil Gjakova, motër e vëlla nga Peja, janë shumë afër ta shkruajnë historinë e sportit kosovar, duke u bërë të parët motër e vëlla që fitojnë medalje olimpike.

Derisa Nora është vetëm një fitore larg arritjes së qëllimit, Akilit do t’i duhet t’i mposhtë dy kundërshtarë radhazi për ta fituar medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike Tokio 2020 mëngjesin e sotëm,

Blloku final në kategorinë deri në 57 kilogramë te vashat dhe deri në 73 kilogramë të meshkujt fillon në orën 10:00 sipas kohës lokale në Kosovë.

Nora e ka arritur gjysmëfinalen, ku do të përballet me japonezen Tsukasa Joshida, dhe një fitore e mundshme nënkupton se kosovarja e ka të sigurt të paktën medaljen e argjendtë dhe do të luftonte për të artën.  

Vëllai i saj, Akili, e humbi mundësinë për të luftuar për medalje të artë pasi u mposht në çerekfinale nga mongoli Tsogtbaatar Tsend-Ochir dhe si pasojë do të luajë në repesazhin për medaljen e bronztë.

Akili do të përballet me Rustam Orujov nga Azerbajxhani në duelin gjysmëfinale për të bronztën.

Kosova e ka fituar tashmë një medalje në Tokio, me Distria Krasniqin që shkëlqeu duke e rrëmbyer medaljen e artë në kategorinë deri në 48 kilogramë të shtunën.

Në garë për medalje do të jetë edhe Loriana Kuka më 29 korrik në kategorinë deri në 78 kilogramë.

(Kosova Sot Online )