Loriana Kuka e synon medaljen e tretë të Kosovës në “Tokyo 2020”

  • E.K /
  • 28 July 2021 - 15:14
 Loriana Kuka e synon medaljen e tretë të Kosovës në “Tokyo 2020”

Xhudistja kosovare do të garojë të enjten në mëngjes me kohën tonë lokale. Ajo do të mundohet ta shtojë numrin e medaljeve të Kosovës në tre, pas Distria Krasniqit e Nora Gjakovës

Loriana Kuka është xhudistja e fundit e Kosovës që do të paraqitet në Lojërat Olimpike. Xhudistja kosovare do të garojë të enjten paradite në kategorinë deri në 78 kilogramë në “Tokyo 2020”.Loriana është e vendosur që ta shtojë numrin e medaljeve të Kosovës në këtë Olimpiadë.

Siç dihet, deri tash vendi ynë i ka siguruar dy medalje të arta me Distria Krasniqin e Nora Gjakovën. Ndërkaq, Loriana, e cila është mbesa e trajnerit Driton Kuka, e synon medaljen e tretë të Kosovës në Tokio. Në debutimin e saj olimpik, 24 vjeçarja, e ka kaluar rrethin e parë pa luftë.

Ndërsa, në atë të dytë, kampionia e Evropës U-23 do të ketë punë me fituesen e duelit në mes të Marie Branser e Aleksandra Babintseva. Kosova po përfaqësohet në Olimpiadë me 11 garues, prej tyre 5 nga sporti i xhudos, të gjithë me normë olimpike. Loriana ka pasur ngritje në karrierë kohëve të fundit dhe është kandidate potenciale për medalje.

(Kosova Sot Online)