Umtiti s’e ka ndërmend të pranojë të largohet nga Barcelona

  • S.A /
  • 24 August 2021 - 09:37
Umtiti s’e ka ndërmend të pranojë të largohet nga Barcelona

Samuel Umtiti nuk e ka ndërmend ta pranojë kërkesën e Barcelonës për t’u larguar nga klubi gjatë këtij afati kalimtar, pasi beson se mund të jetë në planet e trajnerit Ronald Koeman.

Barcelonës i duhet t’i largojë disa futbollistë për shkak të pagave të tyre të larta dhe Koeman nuk llogarit fare në Umtitin. Por mbrojtësi francez nuk dëshiron të ndahet me katalonasit.

Ka kohë që Barça përpiqet të nxjerrë para nga shitja e Umtitit, kryesisht për shkak të pagës së tij të lartë dhe telasheve të vazhdueshme me lëndime.

Pas bisedimeve që drejtuesit e klubit kishin me përfaqësuesit e Umtitit, u la të kuptohej se ai do të largohej këtë verë, por gjërat morën një kthesë të papritur së fundmi dhe duket se ai do të qëndrojë të paktën edhe një sezon tjetër.

Barcelona ia ka ofruar Umtitit disa mundësi për të zgjedhur se ku dëshiron të luajë sezonin tjetër, pasi disa ekipe kishin bërë oferta për të, por francezi i ka hedhur poshtë ato sepse dëshiron të mbetet në Camp Nou, sipas të përditshmes spanjolle MARCA.

27-vjeçari e ka përmirësuar gjendjen fizike dhe beson se e meriton një mundësi tjetër këtë sezon, pavarësisht se në garë për një vend në skuadër do të përballet me të parapëlqyerit e Koemanit, Gerard Pique, Eric Garcia, Ronald Araujo dhe Clement Lenglet .

(Kosova Sot Online )