Xhaka e ndien Arsenalin shtëpi të veten, thotë se është krenar që qëndroi

  • S.A /
  • 24 August 2021 - 10:21
Xhaka e ndien Arsenalin shtëpi të veten, thotë se është krenar që qëndroi

Granit Xhaka ka thënë se Arsenalin e ndien si shtëpinë e vet dhe se është shumë krenar që ka vendosur të qëndrojë në Emirates, pasi i vazhdoi marrëveshjen së fundmi. Mesfushori dhe kapiteni i Zvicrës ishte buzë kalimit te Roma e Jose Mourinhos, por në fund vendosi të qëndrojë në Arsenal duke nënshkruar kontratë të re katërvjeçare. Në një postim në rrjetet sociale të martën, Xhaka shprehu krenarinë me qëndrimin në Emirates.

“Këtu ndihem në shtëpinë time. Jam vërtet krenar që do të vazhdoj të qëndroj në Arsenal”, shkroi Xhaka në Facebook.

Arsenali nuk e ka bërë ende zyrtare marrëveshjen e re me mesfushorin nga Kosova, por Xhaka e konfirmoi atë të hënën në një intervistë për uebsajtin e klubit.

“Jam shumë i lumtur, jam ende këtu. E kam nënshkruar një kontratë të re natyrisht dhe dua t’ua shpaguaj këtë, së pari stafit tonë dhe pastaj tifozëve. Ata e dinë se unë do të jap gjithçka nga vetja në çdo lojë dhe në çdo seancë stërvitore”, tha Xhaka të hënë.

Ai foli edhe në lidhje me fillimin zhgënjyes të sezonit të ri në Premierligë, pas dy humbjeve në dy ndeshjet e para, Xhaka tha se klubi dëshiron të arrijë diçka të madhe dhe se ka kohë për ta bërë këtë.

“Shumë i zhgënjyer. Na u rikthye mbështetja e tifozëve pas një kohe të gjatë dhe donim t’ua shpaguanim atë me diçka. Por sot keni mundur ta shihni pse Chelsea është njëra prej ekipeve më të mira në Evropë. Mendoj se ne duhet të bëjmë diçka të mirë nga sot”, theksoi ai.

Xhaka shtoi: “Ne duam të arrijmë diçka të madhe, natyrisht. Pas dy ndeshjeve shumë njerëz po flasin për këtë ekip dhe për këtë klub, por unë them se asnjë sezon nuk mbaron pas dy apo tri ndeshjeve. Kemi shumë ndeshje para ndesh, ne e dimë se duhet t’i përmirësojmë shumë gjëra dhe jam i sigurt se do ta bëjmë këtë.”

(Kosova Sot Online )