Juninho: Lyoni kishte shumë nevojë për Shaqirin, jemi të lumtur

  • S.A /
  • 24 August 2021 - 12:02
Juninho: Lyoni kishte shumë nevojë për Shaqirin, jemi të lumtur

Drejtori sportiv i Lyonit, Juninho, e ka pranuar se gjiganti francez kishte nevojë ta sillte në skuadër një lojtar të cilësisë së Xherdan Shaqirit, pas largimit të Memphis Depay drejt Barcelonës, duke thënë se ylli kosovar do t’i japë shumë klubit në fushë dhe në zhveshtore. Shaqiri iu bashkua të hënën Lyonit nga Liverpooli për një shumë rreth 11 milionë euro, duke i përfshirë edhe bonuset. Juninho ka treguar se bisedimet për blerjen e Shaqirit kishin zgjatur shumë dhe se përfaqësuesi i Zvicrës kishte bërë përpjekje të mëdha për t’iu bashkuar Lyonit.

“Biseduam me të për një kohë të gjatë. Ne kishim nevojë për këtë lojtar (Shaqirin). Ai do të na japë shumë edhe në zhveshtore. Që prej bisedimeve të para, ai ka treguar dëshirë për të ardhur te ne. Ai bëri përpjekje”, tha drejtori sportiv i Lyonit Juninho.

Lyoni e humbi yllin më të madh të ekipit në vitet e fundit këtë verë, Depay, i cili iu bashkua Barcelonës. Por ish-mesfushori i Lyonit dhe Brazilit beson se Shaqiri do t’i japë shumë ekipit sa për ta mbuluar boshllëkun e lënë nga holandezi.  

Ai shtoi: “Ne jemi shumë të lumtur. Ne shpresojmë se ai do t’i bashkohet grupit sa më parë. Ai është luftarak, këtë na e dëshmoi gjatë Euro 2020. Shaqiri do të na japë shumë”.

29-vjeçari nënshkroi kontratë trivjeçare me klubin e Ligue 1, ku besohet se do t’i përfitojë nga 4 milionë euro në vit.

Shaqiri i zhvilloi 63 ndeshje për Liverpoolin, të cilit i ishte bashkuar më 2018 nga Stoke City për 15 milionë euro. Por lëndimet luajtën rol të madh për të mos e lejuar atë ta ketë një vazhdimësi të dëshiruar në Anfield.

29-vjeçari e shijoi një Kampionat Evropian mahnitës Euro 2020 këtë verë, duke i ndihmuar Zvicrës ta arrijë një çerekfinale historike me tri gola të shënuara.

Pas Euro 2020, Shaqiri i kishte kërkuar Liverpoolit ta lejonte të largohej.

Kjo do të jetë liga e katërt e madhe evropiane që Shaqiri do të luajë, pasi  në të kaluarën luajti për Bayern Munich në Bundesligë dhe Interin në Serie A. 

(Kosova Sot Online )