Kosova përballet me Gjeorgjinë sot, në kërkim të fitores së parë në kualifikime për Kupën e Botës

  • S.A /
  • 02 September 2021 - 09:02
Kosova përballet me Gjeorgjinë sot, në kërkim të fitores së parë në kualifikime për Kupën e Botës

Kosova do ta kërkojë sonte fitoren e parë në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës, kur të përballet me Gjeorgjinë në Batumi.

Kombëtarja e Kosovës e viziton sot Arenën Batumi në orën 18:00, për t’u përballur me Gjeorgjinë në ndeshjen e xhiros së tretë të Grupit B kualifikues për Botërorin Katari 2022. Verdhekaltrit nuk e kishin fituar asnjë ndeshje në debutimin e tyre në kualifikime për Kupën e Botës 2018 dhe e nisën fushatën e dytë kualifikuese për Botërorin e ardhshëm në mënyrë po aq të keqe.Skuadra e Bernard Challandes u mposht nga Suedia dhe nga Spanja në dy ndeshjet e para në grup.

Challandes paralajmëroi para ndeshjes me Gjeorgjinë se Kosova duhet ta ndryshojë mentalitetin menjëherë, nëse dëshiron të ketë sukses. Ai këmbënguli se do të fliste me lojtarët për këtë me ton të ashpër.

Dardanët do të përballen me disa mungesa në sulm, si Arbër Zeneli dhe Edon Zhegrova të lënduar dhe Milot Rashica i cili nuk është lejuar të udhëtojë drejt Gjeorgjisë nga klubi i vet Norwich City, për shkak se ky vend ndodhet në listën e kuqe të Britanisë së Madhe për vendet me rrezikshmëri të lartë nga infektimet me Covid-19.

Pas përballjes me Gjeorgjinë sot, verdhekaltrit do të rikthen në Prishtinë për dy ndeshjet e vështira ndaj Greqisë më 5 shtator dhe ndaj Spanjës më 8 shtator.

Grupit i prin Spanja me 7 pikë, e ndjekur nga Suedia me 6, derisa Kosova ngel e fundit pa pikë. 

(Kosova Sot Online )