Reagon Messi pas golit të parë për PSG-në

  • S.A /
  • 29 September 2021 - 09:16
Reagon Messi pas golit të parë për PSG-në

Lionel Messi e ka përshkruar si të përsosur të martën mbrëma, pasi e shënoi golin e parë për Paris Saint-Germainin në një fitore të madhe kundër Manchester Cityt në Ligën e Kampionëve.

Superylli argjentinas e shënoi golin e dytë të PSG-së pasi u shërbye nga Kylian Mbappe, duke i ndihmuar ekipit të vet të fitojë 2:0 në Parc des Princes. Kjo ishte paraqitje e katërt e Messit për PSG-në që prej se iu bashkua asaj në verë nga Barcelona.

Po ashtu, ky gol nënkupton se Messi ka shënuar gol në 17 sezone radhazi në Ligën e Kampionëve, duke e barazuar rekordin që Karim Benzema e kishte vënë në të njëjtën natë në humbjen tronditëse të Real Madridit kundër Sheriff.

Duke folur pas ndeshjes, Messi e pranoi se u ndje tejet i lumtur pasi e shënoi golin e parë në fanellën e ekipit të ri.

“Ishte një natë e përkryer kundër një kundërshtari të madh. Për ne, ishte shumë e rëndësishme të fitonim pas barazimit me Brugge”, tha Messi.

“Jam shumë i lumtur që shënova. Nuk kam luajtur shumë së fundmi, e kisha luajtur vetëm një ndeshje këtu. Po adaptohem dalëngadalë. E rëndësishme është të vazhdojmë të fitojmë”, shtoi ai.

Ky ishte goli i 121-të i Messit në Ligën e Kampionëve dhe tani 34-vjeçari ngel vetëm 14 gola mbrapa rivalit dhe njeriut që ka shënuar më së shumti në këtë garë, Cristiano Ronaldos së Manchester Unitedit.

(Kosova Sot Online )