Xhaka reagon pas akuzave se refuzoi ftesën e kombëtares së Shqipërisë

  • S.A /
  • 06 October 2021 - 10:54
Xhaka reagon pas akuzave se refuzoi ftesën e kombëtares së Shqipërisë

“Ai e ka refuzuar disa herë ftesën, ndoshta do të përqendrohet te klubi i tij. Më vjen shumë keq, sepse Xhaka mund të na jepte një dorë të mirë në këto dy ndeshje”. Kështu e shpjegoi para dy ditësh trajneri Edy Reja mungesën e Taulant Xhakës në listën e publikuar prej tij.

Një ditë më pas, pasi pati njëlloj “fushate” në rrjetet sociale kundër tij, ka reaguar vetë mesfushori i FC Basel.

Në një prononcim për “RTSH Sport”, ai ka mohuar t’ia ketë mbyllur dyert kombëtares: “Taulant Xhaka kurrë nuk e ka refuzuar kombëtaren! I kam thënë Bulkut se nuk jam akoma në 100% të formës, pas dëmtimit. Në këto kushte, më mirë ishte që të merrnin një lojtar tjetër që është plotësisht gati. Unë nuk paskam dhënë asnjë arsye për mungesën në kombëtare?

Këto janë gënjeshtra dhe nuk e di pse dalin. Nuk është aspak e vërtetë që e kam refuzuar kombëtaren, por isha 1 vit i lënduar dhe nuk jam 100% në formë. Nuk dua të rrezikoj prapë që të lëndohem. Në këtë mënyrë, i kam dhënë shansin një lojtari të ri që të grumbullohet”, ka thënë Xhaka.

Ja çfarë tha dje Edy Reja për këtë çështje: “Më vjen keq për Xhakën, sepse për cilësitë që ka do të na jepte një dorë shumë të mirë në këto dy ndeshje. Megjithatë, ai e ka refuzuar ftesën. Unë e kam ftuar disa herë, edhe vitin e kaluar, edhe së fundi, por nuk është përgjigjur pozitivisht, kështu që është e kotë të vazhdoj të shpresoj dhe t’i dërgoj ftesa për faktin se nuk po vjen. Nuk na e ka thënë pse nuk vjen, ndoshta ka vendosur të fokusohet te klubi. Më vjen keq, pasi është një lojtar me eksperiencë, por faktet janë këto”.

(Kosova Sot Online )