Tyson Fury ka rrëfyer se kishte pirë birrë 24 orë para meçit të parë ndaj Deontay Wilder

  • S.A /
  • 08 October 2021 - 09:48
Tyson Fury ka rrëfyer se kishte pirë birrë 24 orë para meçit të parë ndaj Deontay Wilder

Tyson Fury ka rrëfyer se e kishte marrë me shumë relaks meçin e parë kundër Deontay Wilder në vitin 2018.

Kampioni i botës në kategorinë e peshave të rënda në divizionin WBC ka treguar se 24 orë para duelit ishte ulur në një hotel dhe i kishte shijuar birrën.

Meçi i parë ndërmjet dy boksierëve kishte përfunduar baras, para se britaniku t’ia merrte titullin amerikanit në përballjen e dytë (shkurt 2020), teksa këtë fundjavë në T-Mobile Arena në Las Vegas kompletohet trilogjia mes tyre.

Fury – i cili para rikthimit sensacional në boks kishte pasur probleme mentale dhe me vartësinë nga droga dhe alkooli – ka thënë se derisa po përgatitej për meçin e parë ndaj Wilder para tre vitesh, e kishte shijuar birrën. “Do t’ju tregoj diçka që ndoshta nuk e keni ditur. Kur duhej të përballesha me Deontay Wilder në Los Angeles në vitin 2018, ishte një natë para meçit. E kisha këtë dëshirë që të shkoja poshtë dhe ta shijoja një birrë”. “Prandaj, thash, e dini – po luftoja për titullin e botës në kategorinë e peshave të rënda, trupi im më thotë se dua një birrë, do ta pi”.

“Kështu që e thirra shokun tim që organizon gjëra të këtilla, Tim dhe i thashë: ‘Tim pritëm poshtë për pesë minuta në bar’, ai tha: ‘Çfarë?’. Unë i thash: ‘Pritmë poshtë për pesë minuta!’”.

“Shkova poshtë dhe i mora dy birra, një për mua një për shokun Tim dhe ai më thoshte: ‘Çfarë po bën? Po lufton për titullin e botës në peshat e rënda… nesërmbrëma!’”.

“Unë i thash: ‘Dëgjo, të mëdhenjtë nga e kaluara kanë pirë uiski dhe janë dehur para dueleve kampionale’, prandaj thashë me vete se duhet ta pija një birrë”.

‘Kështu që e shijova birrën, u ndjeva mirë, shkova në krevat, fjeta herët dhe u ndjeva për mrekulli në ditën pasuese duke zhvilluar një meç të mirë”, ka rrëfyer Fury. 

https://youtu.be/WrFtUOq9XuE?t=10

(Kosova Sot Online  )