Pamje: Bersant Celina i shënon dy gola të mrekullueshëm në fitoren e Ipswichit ndaj Wycombe

  • S.A /
  • 03 November 2021 - 09:55
Pamje: Bersant Celina i shënon dy gola të mrekullueshëm në fitoren e Ipswichit ndaj Wycombe

Bersant Celina e ka frymëzuar Ipswichin drejt fitores së tretë në katër ndeshjet e fundit, me dy gola të mrekullueshëm në triumfin 4:1 kundër Wycombe të martën në League On – kategorinë e tretë të futbollit në Angli. Përfaqësuesi i Kosovës Celina shënoi nga një herë në secilën pjesë në Adams Park, për ta mbajtur Ipswichin në binarë në luftë për promovim në Championship.  

Celina, i cili iu ribashkua klubit nga Suffolk në një marrëveshje huazimi nga Dijoni në verë, e barazoi rezultatin në 1:1 për Ipswichin me një goditje mahnitëse nga rreth 20 metra largësi.

25-vjeçari nga Prizreni e vulosi fitoren e tretë në katër ndeshjet e fundit në ligë për Ipswichin në një kundërsulm, duke e dribluar portierin, që kishte dalë përtej gjysmës së fushës së vet, për të vrapuar i vetëm me topin deri në portë.

Ky ishte goli i tretë në nëntë ndeshje për Celinën në League Onë këtë sezon dhe sulmuesi i Kosovës festoi mbrapa portës bashkë me tifozët e Ipswichit që kishin udhëtuar drejt High Wicombe për ta mbështetur ekipin e tyre.

Ipswichi tani ka 23 pikë në vendin e nëntë në tabelën e League One, vetëm katër pikë larg zonës së play-off për promovim në kategorinë e dytë të futbollit në Angli.

Celina duket ta ketë rimarrë veten plotësisht, pas një telashi me zemër që e kishte në verë, kur mungoi në fillim të sezonit me Dijonin në kategorinë e dytë të futbollit në Francë.

Ai mungoi edhe në ndeshjet e Kosovës në kualifikime për Kupën e Botës 2022 në shtator dhe tetor, përveç në humbjen 2:1 kundër Gjeorgjisë, ku u luajti vetëm katër minuta në Prishtinë.

(Kosova Sot Online )